“Me tërë respektin ministre, kontributi i juaj i vetëm në procesin e liberalizimit të vizave është gazi lotsjellës në Parlamentin e Kosovës”.
Kështu i është kundërpërgjigjur nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për liberalizim të vizave, e cila kishte thënë, “Jemi optimistë se qytetarët do të lëvizin lirshëm, por nuk do të bëj sikur qeveritë e kaluara, sepse i dini deklaratat e ish-kryeministrave dhe ish-presidentëve që i kanë mashtruar qytetarët”.
Çitaku, ndër të tjera, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret vite më parë.
“Këtë nuk po e them unë, por Komisioni Evropian”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndryshe më 12 tetor, Komisioni Evropian pritet të publikojë tekstet e paketës së zgjerimit dhe të raporteve individuale të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor në takimin e kolegjit të komisionerëve.
Gjatë ditës, raporti zyrtar 2022 për Kosovën do t’i dorëzohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Haxhiu: Nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur, duhet të bëjmë përpjekje për mbrojtjen e tyre