Çitaku kërkon shkarkimin e ambasadorit Berishaj: Faktet dëshmojnë përfshirjen e tij në skandalin energjetik

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar hetimin dhe shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një konferencë për media të mërkurën, ka kërkuar hetimin dhe shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas fakteve të reja, që siç thotë ajo, dëshmojnë përfshirjen e tij në skandalin energjetik.

Çitaku ka thënë se është pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili po bëhet pengesë për t’u hapur rrugë përgjegjësisë dhe së vërtetës.

“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit Kurti, i emëruar ambasador nga kryeministri Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga kryeministri Kurti. Por, përkundër se qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet çdoherë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat, jo vetëm që tejkalojnë çështjet e integritetit diplomatik e personal apo edhe ndjekjes penale, por, të cilat, sot shtrihen deri te Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Çitaku ka bërë thirrje që rasti të zbardhet deri në fund, në mënyrë që, siç thotë ajo, imazhi i Kosovës si shtet të mos dëmtohet edhe më tej.

“Kërkojmë nga organet e zbatimit të ligjit që ta bëjnë punën e tyre investiguese si dhe nga institucionet përgjegjëse që Berishajn ta shkarkojnë menjëherë nga detyra e Ambasadorit”, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, që nga fillimi i prillit të vitit 2022, Qeveria Kurti është munduar ta amnistojë rastin e ambasadorit Berishaj.

Çitaku tha se mediat gjatë ditës së mërkurë, raportuan për të dhëna të tjera faktike që dëshmojnë se kompania GEN ka hedhur në llogarinë e ambasadorit Berishaj 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat ai nuk i ka raportuar në komision.

“Dje, mediat kosovare raportuan për të dhëna të tjera faktike në lidhje me veprimtarinë komerciale të Berishaj me GENIN, të dhëna për të cilat Berishaj nuk ka qenë i sinqertë gjatë paraqitjes së tij para Komisionit Hetimor. Sipas këtyre të dhënave, në llogarinë e Berishaj, kompania GEN ka hedhur hiç më pak se 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat, Berishaj nuk i ka raportuar në komision. Paralelisht me këto të dhëna që flasin shumë, këtu kemi të bëjmë me një përpjekje të organizuar për të fshehur gjurmë, dje pati edhe shkrime në mediat e huaja se kompania GEN, në kuadër të shpëlarjes së parave përmes kontabilitetit fiktiv, kishte financuar edhe fushata politike, duke përmendur në mes të tjerash, fushatën zgjedhore të kryeministrit Albin Kurti, ku për koincidencë, periudha kur mendohet se GEN ka financuar këto fushata, përfshin periudhën kur ambasadori Berishaj kishte tërhequr mjetet e deponuara nga GEN-i në llogarinë e tij”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera Çitaku ka thënë, “Një kallëzim penal nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit, një aferë e thellë që i bën dëm imazhit të Kosovës, dhe vazhdimi i kësaj sage nëpër mediat ndërkombëtare edhe sot kur po flasim, nuk kanë qenë të mjaftueshme për kryeministrin Kurti, as për presidenten Osmani që ambasadorin Berishaj ta ballafaqojnë me përgjegjësi”.

Shija e redaktorit

BE dorëzon progres-raportin, Rama: Dokumenti më i mirë ndërkombëtar për...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit...

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Të fundit nga rubrika