Çitaku: Koalicioni me VV-në do të ishte i vështirë

FOTO:KP

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet në muajin maj në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhjeve të parakohshme më së largu deri në javën e parë të korrikut.

Çitaku paralajmëron koordinim me partitë opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, derisa thekson se në bazë të qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë të vështirë të lidhin koalicion paszgjedhor.

Çitaku në një intervistë për KosovaPress thotë se zgjedhjet e parakohshme kanë kuptim të mbahen deri në 50 ditët e ardhshme, pasi nëse shkohet nga vjeshta e tutje do të hyhet në cikël normal zgjedhor.

“Qe nga korriku i vitit të kaluar PDK-ja në mbledhjen e Këshillit Drejtues ka marrë të mos votojë asnjë nismë ligjore të Qeverisë dhe ka kërkuar që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje. Sigurisht, modeli jonë i preferuar ka qenë dorëheqja apo shkarkimi, mirëpo meqenëse votat na mungojnë për një procedurë të tillë, ne jemi në opsionin të dytë për shpërndarjen e Kuvendit. Ne nuk e kemi monopolin për këtë proces, por ne duam të bashkëpunojmë me parti të tjera opozitare…Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit. Kjo ka kuptim të bëhet deri në fund të qershorit, eventualisht java e parë e korrikut. Pastaj zgjedhjet e parakohshme s’kanë asnjë lloj logjike, pasi nga vjeshta e tutje hynë në cikël normal zgjedhor”, thekson Çitaku.

Sipas saj, PDK-ja nuk do të bëjë veprime të njëanshme në Kuvend, por do të ketë koordinim me partitë opozitare në mënyrë që mocioni eventual i mos besimit ndaj Qeverisë Kurti të rezultojë i suksesshëm.

“Ne nuk do të bëjmë veprime të njëanshme. Ne do të vazhdojmë të komunikojmë me kolegët tanë në opozitë dhe shpresojmë të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të kemi një mocion, i cili do të ishte i suksesshëm. Ne nuk jemi në këtë përpjekje për bajraktarizëm. Ne nuk e kemi bërë tërë këtë përpjekje tash e një vit as për të bërë një fjalim të zjarrtë në Kuvend dhe për të rezultuar me një mocion që dështon. Ne duam që mocioni të jetë i suksesshëm dhe do të bëjmë përpjekje dhe do të vazhdojmë komunikimin me kolegët tanë opozitarë”, thotë ajo.

Sa i përket koalicioneve pas zgjedhore, Çitaku thotë se është ende herët që ato të diskutohen, por në bazë të qeverisjes aktuale e kanë të vështirë të bashkëpunojnë me partinë në pushtet.

“Për koalicione flet kandidati ynë për kryeministër Bedri Hamza pas zgjedhjeve. Nuk është koha të flasim për koalicione. Megjithatë, është e qartë se ne duam t’i japim vendit një qeverisje tjetër. Një qeveri që ofron stabilitet, parashikueshmëri, zhvillim, që e ka në qendër qytetarin e Kosovës dhe përmirësimin e jetës së kualitetit të tij, një qeveri që rikthen urat e bashkëpunimit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kam drojën se këtë lloj agjende e kemi vështirë të përmbushim me Lëvizjen Vetëvendosje si partner”, deklaron ai.

Duke folur për takimin e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, ajo thotë se i njëjti ishte vetëm për t’u dakorduar për zgjedhjet e parakohshme.

Sipas saj ndryshimi i qëndrimit të PDK-së për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk ka dalë nga ai takim, por ka ardhur si kërkesë e kandidatit për kryeministër të PDK-së Bedri Hamza.

“Kandidati ynë për kryeministër Bedri Hamza, qe nga fillimi i prillit, menjëherë pas nominimit për kryeministër, ka kërkuar nga PDK-ja që të ndryshojë qëndrim për marrëveshjet ndërkombëtare. Në fund të fundit, ato nuk janë dokumente të qeverisë, por marrëveshje të Kosovës me mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Ka bërë përpjekje serioze dhe këtë e ka bërë të ditur. Pra, qëndrimi jonë për marrëveshjet ndërkombëtare është rezultat i përpjekjeve të Bedri Hamzës që disa procese në parlament t’i përmbyllim dhe mos të humbin kohë në mënyrë që të hapet dera për të shkuar në zgjedhje. Vendimi për marrëveshje ndërkombëtare nuk është i ndërlidhur me takimin e kryeministrit Kurti me kryetarin Krasniqi”, ka theksuar Çitaku./KP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika