Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se ka kakofoni, konfuzion dhe panik në lidhje me takimin që pritet të mbahet të enjten në Bruksel dhe gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, apo nëse do ta pranojnë apo jo Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka listuar disa gjëra që sipas saj shkaktojnë konfuzion te qytetarët.
“E kemi pranuar planin. Jo nuk e kemi pranuar planin. Nuk ka dialog pa u ndëshkuar Serbia. Ka dialog me Serbinë këtë javë. Ka asociacion. Asociacioni ka vdekur. Ka ska ka ska ka ska. Kakofoni. Konfuzion. Panik”, ka shkruar Çitaku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së pesë emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.
Këtë për RTV Dukagjini e ka konfirmuar këshilltari i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, i cili ka theksuar se takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.
Qeveria e Kosovës ka thënë se është dakord me planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar të shtunën nga diplomatët perëndimorë për liderët e Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, tha ai.
Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, thotë Kadiu.
Megjithatë sipas tij, “ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”.
Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) i ka cilësuar si “mbështetje” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë takimet e së enjtes në margjinat e samitit të BE-së, ku janë ftuar kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Takimet janë në mbështetje të kthimit në dialog dhe ky është mesazhi. Presim nga të dyja palët që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së obligimeve nga dialogu”, tha Stano të mërkurën.
Më 24 tetor, Stano theksoi se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.