Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova po përmbyll vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.
Çitaku, në një konferencë për media, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.
“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe, si rrjedhojë, përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është, as gjithëpërfshirëse, as finale e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.
Çitaku ka shtuar se nuk ka “njeri me mendje të shëndoshë”, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.
“Në një vit, kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hercegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ajo.
Çitaku ka rikujtuar se PDK-ja ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe avantureske të qeveritarëve.
“Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie do të marrë fund”, ka përfunduar Çitaku.