Çitaku pas ngritjes së aktakuzës për Nagip Krasniqin: Kjo është maja e Ajsbergut, kërkojmë përgjegjësi të plotë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar llogaridhënie nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë skandal.

Çitaku, në një konferencë për medie, tha se PDK-ja i jep mbështetjen e plotë organeve të drejtësisë, të cilat kanë marrë përsipër zbulimin e “keqpërdorimeve milionëshe në këto tri vitet e fundit në fushën e energjisë”.

“Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje. Prandaj, sot, Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mos-deklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike etj”, ka deklaruar Çitaku.

Sipas Çitakut, “arrestimi i Nagip Krasniqit është maja e Ajsbergut, në të cilin i kanë rrënjët thellë eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, që i ngjason një mafie energjetike”.

“Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 për qind qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të Kryeministrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv, me tregtim të energjisë”, ka theksuar Çitaku.

Teksa Çitaku foli për siç tha, rastet e shumta të keqpërdorimeve nga pushteti aktual dhe ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve, ka theksuar se se para ligjit dhe drejtësisë, askush nuk guxon të jetë i paprekshëm.

“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres së vendit, Donika Gërvallës. Tani, na thoni, si mund ta quajmë ndryshe një pushtet, përveç se korruptiv, për të cilin nuk kalon asnjë muaj pa një skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Edhe një herë, mos harroni: Të gjithë këta njerëz, edhe shumë të tjerë të cilët kanë defiluar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari”, ka vijuar ajo.

Ndryshe, dje, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria e akuzon Krasniqin për shkelje të detyrës gjatë një periudhe më pak se dyvjeçare.

“I pandehuri N.K., duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Prokuroria nuk dha hollësi të tjera rreth shkeljeve për të cilat e akuzon Krasiniqin, i cili ishte emëruar në krye të KEK-ut në tetor 2021.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika