Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me “heshtjen” për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka thënë se kjo është dita e dytë pas konfirmimit publik të sanksioneve dhe dita e gjashtë pasi që ky vendim i është komunikuar zyrtarisht qeverisë së Kosovës.
“Kryeministri, si gjithmonë gjeneralizoi dhe nuk tha asgjë. Presidentja po vazhdon të heshtë. Momentet si këto janë definuese për trajektoren politike dhe strategjike të një shteti. Çfarë Kosove duam ne? Të integruar apo të përjashtuar e të izoluar? Boll ma. Mashtrimi nuk kalon”, shkroi ajo.
Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do t’i komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës, tha drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman.
Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.
Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
BE paralajmëron shpalljen e masave ndëshkuese kundër Kosovës