Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se Hashim Thaçi do të mbahet mend si kryeministër i pavarësisë, ndërsa, sipas saj, Albin Kurti do të mbahet mend si kryeministër i autonomisë për serbët e veriut.
“Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si Kryeminitsri i Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka thënë se marrëveshja bazike të cilën Kurti e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës.
Sipas saj, pranimi i kësaj marrëveshjeje i ka sjellur “pasoja afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit”.
“Nëse Hashim Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institicuionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit – trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si Kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit”, ka shtuar nënkryetarja e PDK-së.
Mes të tjerash, Çitaku i është drejtuar kryeministrit Kurti se e di “që i mungon presidenti Thaçi”, por sipas saj, duhet të durojë dhe pak.