Të shtunën që kaloi, kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve për aferën me rezervat shtetërore, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi u aprovua nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në vendimin e siguruar nga RTV Dukagjini, bëhet e ditur se pretendimet e PSRK-së janë kundërshtuar nga të dyshuarit dhe avokatët e tyre.
Mbrojtja e dyshuarit Lipovica pasi ka kundërshtuar plotësisht kërkesën e lartëcekur të Prokurorisë, ka deklaruar se nuk është provuar me prova të artikuluara dyshimi i bazuar në klientin e tij.
Sipas avokatit të Lipovicës, Prokuroria pretendon se Lipovica si person zyrtar, ka bërë kërkesë pranë Qeverisë që çështja e furnizimit me rezerva shtetërore të bëhet me përjashtim të Ligjit për Prokurim Publik. Avokati kishte theksuar se çështja e përjashtimit të Ligjit për Prokurimin Publik nuk rregullohet me Ligjin për rezervat shtetërore, por me Ligjin Special për Prokurimin Publik, atë të vitit 2011.
“Nëse analizohet vendimi i Qeverisë i dt.26.02.2022, numër 01/65 që ka të bëj për aprovimin e përjashtimit të Ligjit për Prokurim Publik, në rastin konkret në këto dy rrethana të përgjithshme, pretendimi i akuzës është që kërkesa edhe pse jo e ligjshme në realitet është bërë nga institucionet përkatëse siç është Departamenti për Rezervat Shtetërore pas konsultimit me zyrën ligjore ashtu siç vërtetohet në bazë të vendimit të Qeverisë ku thuhet “aprovohet propozimi për rezerva shtetërore”, që në rastin konkret ka pasur kushte dhe mundësi ligjore për përjashtimin e Ligjit për Prokurim Publik”, citohet të ketë deklaruar avokati Osmani.
Gjersa ka ritheksuar se çështja e rezervës shtetërore është çështje për sigurinë kombëtare të vendit, avokati Osmani ka deklaruar se përzgjedhja e operatorëve ekonomik nuk ishte bërë nga ana e klientit të tij, gjë të cilën thekson se e dëshmojnë provat.
I dyshuari Lipovica u pajtua me pretendimet e mbrojtësit të tij rreth kërkesës për paraburgim të PSRK-së gjersa theksoi se ndonëse ishte pjesë e MINT mbi 10 vite, asnjëherë nuk ka bërë shkelje ligjore.
I dyshuari i dytë i Prokurorisë Speciale për aferën e rezervave shtetërore është Hafiz Gara. Ky i fundit ka deklaruar se qëllimi i vetëm i tij qe rritja e rezervave shtetërore gjersa theksoi se në 15 vite si kryeshef ekzekutiv i një agjenci të ministrisë ka pasur vetëm mirënjohje për arritje.
Për të dyshuarin Gara, mbrojtësi i tij, avokati Bekim Kelani njësoj si avokati i të dyshuarit të parë ka kundërshtuar plotësisht kërkesën e PSRK-së me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për caktimin e kësaj mase.
Gjithashtu, avokati Kelani ka theksuar se për të dyshuarin Gara gjykata duhet të marrë parasysh faktin se është para pensionimit, ka probleme shëndetësore, se është një njeri familjar dhe se asnjëherë nuk ka qenë në konflikt me ligjin.
Në fund, kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të masës së paraburgimit e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i të dyshuarit Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi.
Ky i fundite quajti proces politik rastin e rezervave shtetërore, e trillime pretendimet e Prokurorisë për të mbrojturin e tij. Ai theksoi se leximi i kërkesës së PSRK-së nuk tregon se si i kishte ndihmuar i dyshuari Muharremi të dyshuarit e tjerë.
“Në pjesën e dispozitivit që ka të bëj me të pandehurin Ridvan Muharremi qëndrojnë konstatime të cilat lirisht mund të quhen të trilluara sepse ato nuk ekzistojnë dhe kjo lidhet me faktin ku pretendohet se kinse Ridvan Muharremi paska pas më herët marrëdhënie kontraktuese me operatorin ekonomik kompaninë Yafe turizm nga Turqia e që nuk qëndron”, citohet të ketë thënë Halimi.
Sipas avokatit Halimi, i dyshuari Muharremi është afarist i shkëlqyr dhe që gjithmonë i përgjigjet atdheut sa herë që e kërkon nevoja. Ai tha se kontaktin me operatorin ekonomik nga Turqia e ka pasur përmes restorantit të tij “Bukë e Zemër”, gjersa përmendi edhe atë që eb kishte deklaruar para mediave se Muharremit i ishte kërkuar të ndihmojë në çështjen e rezervave shtetërore.
Sipas dokumentit, Halimi përmendi që janë ngarkuar 10 mijë e 6 tonë me produktet e kërkuara për krijimin e rezervave shtetërore dhe se një gjë e tillë, mund të vërtetohet përmes dokumentacioneve përkatëse.
Halimi ka deklaruar se puna e klientit të tij ishte në baza vullnetare, me mjete vetanake dhe se i njëjti, nuk është i përfshirë për mungesën e sasisë së grurit. I njëjti ka deklaruar se procedurë pothuajse e njëjtë ishte edhe me çështjen e vajit dhe sheqerit ku klienti i tij, kishte zhvilluar bisedimet duke arritur kontakte me kompani nga Polonia.
Muharremi ka mbështetur mbrojtjen e tij gjersa theksoi se kontributi në Kosovë ishte arsye e ardhjes së tij nga Zelanda e Re.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të dyshuarit e lartëcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.
Për të dyshuarin Muharremi thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësi të personit jozyrtar, i njëjti ka ndihmuar të pandehurit Lipovica dhe Gara duke iu krijuar kushte, propozuar dhe negociuar kushtet për kontrata për furnizimin me rezerva shtetërore për vitin 2022.
Për Lipovicën e Garën, sipas Gjykatës, për blerjen e produkteve të rezervës shtetërore, kanë zbatuar procedurat në kundërshtim me ligjin.
Sipas aktvendimit, Muharremi kishte vepruar pa pasur një autorizim paraprak nga organet shtetërore.
Nga Gjykata kanë deklaruar se nuk përjashtohen mundësia që tre të dyshuarit kanë pasur kontakte me persona të tjerë.
Ndryshe, pas një muaji të përgjimeve që u etiketuan si “afera e vajit dhe e grurit”, Policia e Kosovës kreu bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.
Fillimisht, bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal i tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici. Kurse në MINT, u arrestuan dy zyrtarë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Avokati i Muharremit, Mahmut Halimi, ka deklaruar para mediave se ka prova të mjaftueshme për pafajësinë e klientit të tij, duke shtuar se nuk ka ndonjë fletarrest për të.
“Kemi prova të mjaftueshme për pafajësinë e klientit tim. Do të njoftohet opinioni për të gjitha, është i lirë, nuk ka fletarrest për të. Do të ftohet në polici se kemi kërkuar që të ftohet nga organet e drejtësisë. Ai ka qenë brenda në banesë gjatë kohës së bastisjes”, ka thënë Halimi.
Tutje, avokati Halimi ka thënë se Muharremi është shoqëruar në Prokurorinë Speciale për intervistim për aferën e vajit dhe të grurit dhe nuk ka urdhërarrest.
Sipas tij, pas intervistimit do të vendoset për të.
“Ai është shoqëruar në Prokurorinë Speciale për intervistim për aferën e vajit dhe grurit dhe nuk ka urdhërarrest. Pas intervistimit do të vendoset për të njëjtin”, ka thënë Halimi.
Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit, për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.
Në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.
Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.
Disa zyrtarë policorë së bashku më disa dokumente që janë marrë brenda zyrave, janë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.