Pas më shumë se katër muajsh më 14 shtator do të jetë takimi i radhës.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb për herë të fundit janë takuar më 2 maj.
Në takimin e konfirmuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell, vëzhguesit e procesit të dialogut nuk presin ndryshim të qëndrimeve.
Analisti Gazmir Raci thotë Kosovës duhet t’i hiqen sanksionet e Serbia duhet të ndëshkohet për sjelljen e saj karshi obligimeve që ka marrë në marrëveshjen e Ohrit.
“Dialogu është zgjidhja e vetme por nëse Serbia vazhdon me obstruksione me moszbatim dhe me probleme në terren unë nuk mendoj se duhet të vazhdojmë në pafundësi. Por natyrisht Kosova nuk mundet me qenë peng i Serbisë deri sa ajo një ditë e vendos se çka do të bëjë ajo me politikën e jashtme dhe të sigurisë”, ka deklaruar ai.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas analistëve pritet të jetë njëra ndër temat e diskutimit, bashkë me procesin e zgjedhjeve në komunat veriore.
Çështje e zgjedhjeve në komunat veriore, sipas Artan Muhaxhirit, do të marr epilog në këtë takim.
“Po takimi i 14 shtatorit do të jetë i vështirë dhe i rëndë. Besoj që do të jetë diçka ngjashëm sikurse ai i Ohrit. Pra do të zgjasë shumë, do të ketë shumë debate, por nuk mendoj që amerikanët dhe evropianët do ta lënë Kurtin dhe Vuçiqin të dalin pa ndonjë rezultat. Pra unë sinqerisht besoj se do të ketë rezultat konkret”, ka thënë ai.
Kaq optimist për rezultatet që do të prodhojë ky takim nuk janë nga partia në Pushtet.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se nga takimi në Bruksel nuk pret asgjë.
Konjufca kritikon edhe qasjen e ndërkombëtarëve sidomos në raport me Vuçiqin i cili nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e Ohrit, por vetëm është zotuar verbalisht, gjë e cila po keqpërdoret sipas tij.