Prokuroria Speciale e Kosovës me datë 19.03.2025 ka njoftuar se ka ngritur aktauzë ndaj një personi të nacionalitetit shqiptar nën akuzën për krime lufte, në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës.
Sipas aktakuzës së datës 19.03.2025 të ngritur nga Prokuroria Speciale që ka siguruar KALLXO.com, i pandehuri Muharrem Ibraj, po akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë, në fshatin Osek Hylë të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, gjatë një konflikti me karakter jo ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtareve te Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves (UÇK) dhe forcave policore dhe ushtarake serbe ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer, vrasje, dhunime, arrestime, keqtrajtime të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në luftë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Muharrem Ibraj akuzohet se me datë 28.02.1998, rreth orës 14:30 në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, me dashje, i armatosur, dhe në uniformë policore, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë direkt në vrasjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve civil të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë qenë të përfshirë në luftë.
Sipas aktakuzës , i pandehuri Ibraj bashkë me forca të mëdha policore serbe kanë rrethuar shtëpinë e viktimës dhe pasi futen brenda në shtëpi, i pandehuri Muharrem Ibraj i kërcënon dhe i fyen të pranishmit me fjalë të ndryshme dhe në ato momente e godet me shuplakë të dëmtuarin e parë dhe pasi ndërhyn viktima, i pandehuri urdhëron që të dalë nga dhoma dhe gjersa viktima ishte duke dalë jashtë, i pandehuri në prezencë të familjarëve dhe të afërmve të viktimës që ishin prezent aty, shtie disa herë në drejtim të viktimës me një pushkë automatike, ku në ato momente i njëjti ndërron jetë si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.
Tutje, në aktakuzë thuhet se meshkujt e tjerë që kishin qenë prezent janë nxjerrë jashtë nga forcat policore, janë rrahur dhe janë transportuar në stacionin e policisë ku edhe me tej janë sulmuar fizikisht dhe janë marrë në pyetje me pretekstin se ishin pjesëmarrës të UÇK-së dhe pastaj të njëjtit janë liruar.
Tutje, në dispozitivin e dytë i pandehuri Muharrem Ibraj akuzohet se në një datë tjetër të vitit 1998 në bashkëkryerje me dy persona të tjerë të armatosur dhe të uniformuar, duke përdorur forcën e kanë detyruar të dëmtuarën shqiptare të kryej marrëdhënie seksuale me ta pa pëlqimin e saj.
Me këto veprime Muharrem Ibraj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile”.
Prokuroria Speciale ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë ndaj të akuzuarit Muharrem Ibraj konform Dispozitave të Kodit të Procedurës Penale (KPPK), për shkak se i pandehuri gjendet në arrati.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.