Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksivoiq, për sulmin terrorist kundrejt Policisë së Kosovës në Banjskë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ata dyshohen se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.
Fillimisht, thuhet se kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granata dhe armë të ndryshme, me ç’rast tek ura afër Manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri Dushan Maksimoviq thuhet se më 24 shtator 2023, rreth orës 02:45, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar terrorist, të armatosur me armë të rënda të llojeve të ndryshme luftarake, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
Prokuroi i çështjes, thuhet se pas pranimit të kallëzimeve penale, duke u mbështetur në materialin hetimor tërsisht në provat e siguruara nga hetuesit policorë nga burime të shumta e të ndryshme, vlerëson edhe dyshimin se të pandehurit Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, kanë kryer veprat penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare, andaj me aktvendimin PPS.nr.75/2023, ka iniciuar hetimin formal ndaj të pandehurve për veprat penale për të cilat dyshohen.
Prokuroria ka vlerësuar se duke marrë parasysh faktin se të pandehurit janë shtetas të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar dhe rrethanat që e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që nëse lihen të lirë do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër.
Madje, në këtë kërkesë, Prokuroria potencon se mundësinë e arratisjes duhet ndërlidhur me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden në liri.
Aty thuhet se është vlerësuar se duke marrë parasysh veprën penale, mënyrën dhe rrethanat të cilat është kryer vepra si dhe pasojat e saj nga të cilat është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku si dhe është plagosur polici tjetër, Alban Rashiti, tregon mjaftueshëm se nëse të pandehurit lihen në liri mund të tentojnë t’i ndryshojnë provat duke ndikuar tek të tjerët që gjenden në liri.
Në kërkesën e PSRK-së, potencohet se pesha e veprave penale është e rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre tejet e lartë sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me sigurinë e vendit.
Tutje, thuhet se Prokurori Special duke u bazuar në rrethanat e rastit, ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve është mëse i domosdoshëm për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.