Gjenerali Wesley Clark, diplomati Bernard Kouchner dhe ambasadori William Walker, janë vetëm disa nga emrat që pritet të japin dëshminë e tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për rastin e gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe, e ka bërë publike listën me emrat e diplomatëve të cilët pritet të dëshmojnë pro Thaçit, si dhe ka kërkuar që ata të ftohen për dëshmi menjëherë pasi janë në moshë të shtyrë dhe mund të vdesin.
8 diplomatë të lartë ndërkombëtarë pritet të japin dëshminë pro-ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi është duke u akuzuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, tashmë i ka bërë publikë emrat e diplomatëve ndërkombëtarë që do të japin dëshminë e tyre pro Thaçit. Këtë listë me emrat e diplomatëve, avokati i ish-presidentit të Kosovës e ka dorëzuar në adresën e gjyqtarit dhe ka kërkuar që të ftohen për të dhënë dëshmi menjëherë, pasi sipas tij ata janë në moshë të shtyrë dhe mund të vdesin.
Krahas personave të lartpërmendur, lista e personave që do të dëshmojnë pro Hashim Thaçit përfshin edhe:
Steve Bennett (drejtor i Departamentit të OSBE-së për Arsimim dhe Zhvillim të Policisë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, 1999-2006), një diplomat është i redaktuar, Gjenerali Wesley Clark (Komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë dhe komandant i përgjithshëm i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në majin e vitit 2000), Jock Covey (Zëvendës i Parë i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) nga viti 1999 deri më 2001), Michael Durkee (Këshilltar politik i komandantëve supremë aleatë të NATO-s në Evropë (SACEUR) Clark, 1998-1999), Daan Everts (Shef i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, Shqipëri dhe pastaj i Zyrës së OSBE-së në Prishtinë më 1999), Bernard Kouchner (Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), korrik 1999 deri në janar të vitit 2001), William Walker (Shef i Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së nga 17 tetori 1998 deri në mesin e qershorit 1999).
Dëshmitarët sipas avokatit Keohe kanë pasur kontakte personale e profesionale me Thaçin, dhe dëshmia e tyre do të ndihmojë në vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së tij.
Avokati i Thaçit zbulon listën me tetë dëshmitarë ndërkombëtarë