Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, është larguar nga Shqipëria me “mendimin se emri tjetër i New Yorkut është West Albania”.
“Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do të doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania”.
Këto janë fjalët e Clintonit, të cilat janë cituar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në Facebook.
Clinton kërkoi që t’i jepet zgjidhje situatës në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si “marrëzi”.
Në fjalimin e tij para zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe qytetarëve të mbledhur në nder të tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ai theksoi se duhen mbajtur sa më shpejt zgjedhjet në veri.
“Në Kosovë tani po ndodh një mosmarrëveshje që do të doja të mos ndodhte kurrë. Nuk është më në dorën time. Por, kosovarët krijuan këto katër komuna për të mirën e serbëve, për t’iu dhënë atyre edhe katër kryetarë komunash, por edhe vend në Kuvend. Prandaj, mendoj se ata bënë gabim që nuk votuan. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët tani në shumicë që të përpiqen ta shfrytëzojnë momentin për të paraqitur argumentin e tyre. Por, gjëja që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi”, tha Clinton.
“Duhet të përfitojnë nga momenti për ta ndalur këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ata njerëz në ato komuna kanë nevojë për një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”, shtoi ish-presidenti amerikan.
Clinton gjithashtu tha se është i bindur që SHBA-ja është “e angazhuar për lirinë, forcën dhe integritetin e Shqipërisë”, përkundër që nuk ka ndonjë rol në administratës aktuale të SHBA-së.
Të pranishëm në pritjen në nder të ish-presidentit Bill Clinton, ishin përfaqësues të qeverisë shqiptare, ambasadorë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të opozitës, pushtetit local, komuniteteve fetare.
Por, pjesë e kësaj ceremonie u bënë edhe disa të rinj dhe fëmijë kosovarë, që mbajnë emrin Clinton dhe të bashkëshortes së tij Hillary.
Ai u shpreh shumë i emocionuar nga falënderimet që mori gjatë ceremonisë, në të cilën u dekorua me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
“Jam pa fjalë. Mendoj që po të kisha një gjykim shumë të shëndoshë, nuk do të thosha asgjë. Jam me të vërtetë pa fjalë”, tha Clinton, në ditën e parë të qëndrimit të tij dyditor në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Kjo është vizita e parë e Bill Clintonit në Tiranë, ndërkaq 11 vjet më parë Shqipërinë e vizitoi bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, që atëbotë mbante postin e sekretares së Shtetit.
Clinton ishte president i SHBA-së në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë dhe ai luajti rol kyç që NATO të niste bombardimet ndaj caqeve serbe, që çuan në çlirimin e Kosovës.
Atëbotë, Clinton kishte deklaruar se vendimi për nisjen e bombardimeve ishte marrë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga regjimi i liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Clinton ka vizituar për herë të parë Kosovën në maj të vitit 1999. Ai po ashtu qëndroi në Kosovë më 2009 dhe 2019. Në vizitën e tij të fundit, ai ishte i shoqëruar me ish-sekretaren e ndjerë amerikane, Madeleine Albright. Ata morën pjesë në ceremonitë e mbajtura për 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënohet si Dita e Çlirimit.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, pas fushatës ajrore të aleancës kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi që zgjati 78 ditë.