Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka bërë të ditur se ka marrë një letër kërcënuese, si pasojë e një fjalimi të saj, fjalim të cilin e kishte bërë pak muaj më parë.
Sipas asaj që ka thënë von Cramon, letra kërcënuese ka ardhur nga grupi mercenar ”Wagner”, grup i sponsorizuar nga shteti rus, dhe i drejtuar nga oligarku, Yevgeny Prigozhin i afërt me presidentin rus, Vladimir Putinin.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social ‘Twitter’, Cramon ka thënë se grupi Wagner ishte i pakënaqur me fjalimin e saj, duke i dërguar letër kërcënuese dhe paditur atë me 10.000.000 rubla.
”Rusia është një shaka! Grupi mercenar i sponsorizuar nga shteti rus, Wagner, i drejtuar nga oligarku i Putinit, Prigozhin është aq i pakënaqur me fjalimin tim plenar sa më ka dërguar një letër kërcënuese, duke më paditur për 10.000.000 rubla. Më bënë për të qeshur. Gëzohem që jam në shoqërinë e Andrius Kubilius”, ka shkruar ajo në Twitter.
#Russia is a a joke! Russian state sponsored mercenary group #Wagner, run by #Putin's oligarch #Prigozhin is so unhappy with my plenary speech that has sent me a threatening letter suing for 10 000 000₽. Gave me a good chuckle. Glad to be in a company of @KubiliusA#WagnerGroup pic.twitter.com/jZoX9SZsWK
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) May 6, 2022
Ndryshe, siç ka bërë të ditur von Cramon, bëhet fjalë për një fjalim të saj të vitit 2021 në të cilin, ajo kishte kërkuar që Bashkimi Evropian të vendosë sanksionet më të rrepta për grupin ”Wagner”.
”Vdekja është biznesi ynë dhe biznesi po shkon mirë. WagnerGroup i Rusisë dhe mercenarë të tjerë guxojnë të veprojnë nën këtë moto, sepse ne i lejojmë ta bëjnë këtë. BE duhet të vendosë sanksionet më të rrepta për të treguar se vrasja nuk është biznes, është krim kundër njerëzimit!”, kishte deklaruar von Cramon.
"Death is our business & business is going well" – 🇷🇺 #Russia's #WagnerGroup & other ☠#mercenaries dare to operate under this motto because we allow them to do so. 🇪🇺EU needs to impose the strictest sanctions to show that killing is not a business, it is crime against #humanity! pic.twitter.com/9cPDyhVuIm
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) November 25, 2021
Siç është thënë më herët, ky grup ka rekrutuar, trajnuar dhe dërguar operativë ushtarakë privatë në zonat e konfliktit anembanë botës, për të ushtruar dhunë, grabitje të burimeve natyrore dhe frikësim të civilëve, duke shkelur ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Grupi mercenar rus tërhoqi për herë të parë vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2014, kur mbështeti separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.