Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën gjatë shqyrtimit gjyqësor ku u dha fjala hyrëse nga palët në procedurë, mbrojtësja e të akuzuarit Sami Nika, avokatja Kosovare Kelmendi tha se nuk mund të pretendohet se i dëmtuari, Faton Dalladaku ka gjendje të rëndë financiare, pasi sipas saj ai pretendon të blejë spital gjigant dhe se mbledh para për të korruptuar njerëz të politikës.
Ndryshe, në këtë rast, Ismet Osmani i njohur si “Curri”, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani pretendohet nga ana e organit të ndjekjes se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.
“Gjendje e rëndë financiare nuk i atribuohet një personi i cili pretendon të blejë një spital gjigant, nuk është i gjendjes së rëndë financiare personi i cili mbledh para për të korruptuar njerëz të politikës”, tha avokatja Kelmendi.
Ajo tha se hetimi në këtë rast ka nisur mbrapsht dhe se për shkak se rasti u bë tejet medial, në fund Prokuroria e akuzoi edhe klientin e saj, të akuzuarin Nika.
Paraprakisht, prokurori Armend Hamiti, tha se aktakuza është mirë e argumentuar me prova të siguruara gjatë fazës së hetimeve dhe se në veprimet e të akuzuarve manifestohen veprat penale me të cilat ngarkohen.
Prokurori tha se në fund të shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të të gjitha provave, pa kurrfarë mëdyshje do të vërtetohet se të akuzuarit janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale siç përshkruhen edhe në aktakuzë.
Kurse, përfaqësuesja e të dëmtuarit Dalladaku, avokatja Teutë Xhema, tha se i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe se paraqesin kërkesë për kompensim të dëmit.
Derisa Xhema po jepte fjalën hyrëse, kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi ia tërhoqi vërejtjen që të mos flasë lidhur me historitë e të dëmtuarit Dalladaku, por të fokusohet në atë se për çfarë po zhvillohet procesi gjyqësor.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Osmani, avokati Besnik Berisha, tha se vetë i dëmtuari Dalladaku kishte vepruar me këshillat e Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit.
Berisha tha se vlerat e tokave janë “të fryra” nga ana e Prokurorisë, pasi që sipas tij çmimi i tyre real nuk qëndron ashtu siç pretendohet edhe në aktakuzë.
Sipas tij, e tërë çështja penale ka arritur qoftë parashkrimin relativ ose edhe atë absolut, krejt kjo duke llogaritur periudhën e ndërmarrjes së veprimeve që pretendohet se të akuzuarit i kanë ndërmarrë.
Berisha tha se i dëmtuari Dalladaku ishte gëzuar fillimisht për faktin se po bisedonte në telefon dhe shkëmbente mesazhe me Kadri Veseli, e në fund e kishte kuptuar se nuk ishte vetë personalisht Veseli që kishte folur në telefon dhe që kishin shkëmbyer mesazhe.
Ai tha se i dëmtuari i kishte ikur përgjigjeve në Prokurori, me pretendimin se është i dëmtuar, por sipas tij Dalladaku është viktimë e vetvetes, e apetiteve dhe mega-planeve, të cilat i kanë dështuar.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Bojku, avokati Naser Sopjani, tha se trupi gjykues para vetes ka detyrë që të gjitha shkeljet e bëra nga ana e Prokurorisë, t’i evitojë dhe ta drejtojë procesin gjyqësor drejt një vendimi të ligjshëm.
Sipas tij, veprimet e kundërligjshme të ndërmarra nga Prokuroria në këtë rast, vërehen lehtë. Tha se në fund do të vërtetohet se i tërë gjykimi do jetë i bazuar në atë se çka ka pretenduar Dalladaku.
Ndryshe, gjykatësja Bytyqi në këtë seancë ia tërhoqi vërejtjen avokatit Berisha që të mos bisedojë me tjerët kur të flasë prokurori, po ashtu iu tërhoq vërejtja të dëmtuarit Dalladaku për veprimet që bëri gjatë fjalës hyrëse të avokates Kelmendi.
Më pas, gjykatësja Medie Bytyqi njoftoi se për sesionin e pasdites ka caktuar një gjykim tjetër me masë të paraburgimit, andaj seancën e sotme e ndërpreu.
Seanca e radhës u caktua më 6 dhjetor 2023, në të cilën do ta japin fjalën hyrëse edhe mbrojtësi i të akuzuarve Mentor Maqani, avokati Naim Rudari si dhe mbrojtësi i Adil Thaqit, avokati Artan Qerkini.
Pesë të akuzuarit, në seancën e mbajtur më 15 korrik 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Ndryshe, më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Kosovare Kelmendi, Besnik Berisha, Naser Sopjani dhe Artan Qerkini.
Kurse, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores përmes të cilit ishin refuzuara si të pabazuara kërkesat për për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021. Osmani, Nika, Bojku dhe Maqani akuzohen se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”. /BetimipërDrejtësi