Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se shteti serb po punon që vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga aspekti statusor, të sfidojnë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE.
Kështu është shprehur ai për Tanjug, teksa shtoi se përveç shkuarjeve të paralajmëruara të zyrtarëve të shumtë, për Serbinë është i rëndësishëm edhe 15 dhjetori, kur ekziston mundësia që Kosova të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në BE.
“Po punojmë gjithashtu për të ftuar të gjitha vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që ta kundërshtojnë çështjen nga aspekti i statusit – se nuk ka kushte për ta diskutuar atë”, ka thënë Daçiq.
Aspiratat e Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE janë shfaqur qysh në fillim të vitit 2022 nga të gjithë krerët institucionalë.
Gjatë kësaj jave në Bruksel ka qëndruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është takuar me përfaqësues të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian për të diskutuar për planet e Kosovës për aplikim për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Sa u përket planeve të Kosovës për aplikim në BE, së fundmi ka folur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charls Michel, i cili tha se ky institucion do të shqyrtojë atë aplikacion dhe më pas do të dalin me qëndrim.