Albin Kurti i ka siguruar të paktën dy prej deputetëve të zgjedhur nga partitë e komuniteteve pakicë, në synimin për t’u zgjedhur sërish kryeministër.
Nëse ai ia del të formojë qeverinë e re, në Ekzekutiv nuk do ta ketë më deputeten e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, dhe Fikrim Damkën nga komuniteti turk.
Ish-zëvendëskryeministrja tha se tash në vend do të jenë Duda Balje apo Rasim Demiri.
“Paj jo, më mirë është me qenë pjesë e Parlamentit. Moti jam në qeveri, më shumë se 7 vite. Ndoshta zëri i boshnjakëve duhet me u ngrit edhe pak në Kuvend dhe qashtu kam vendos”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq, ajo tha se kërkesa e deputetes së zgjedhur Duda Balje për formimin e një komune boshnjake nuk është çështje që vendoset kaq shpejt.
“Është një çështje nacionale, edhe nuk është temë për 1 ditë. Edhe nuk është temë që dikush me shfrytëzu edhe me bo keqkuptime përmes rrjeteve sociale në mes shqiptarëve dhe boshnjakëve. Ne të gjithë jemi për komunën, por nuk është koha për me formu”, ka shtuar Rexhepi.
E pikërisht Balje është përfolur se mund të marrë pozitë të ministres në qeverinë e re, madje atë të Zhvillimit Rajonal, që për katër vitet e fundit e ka udhëhequr Fikrim Damka nga komuniteti turk.
E, ky i fundit mohoi disa raportime në media se nuk po pranon pozitat të cilat po ia ofron Kurti.
“Nuk ka qenë puna e pranimit ose mospranimit. Ka qenë puna e grupit multietnik i cili do të formohet shumë shpejt, ku i kemi pas diskutimet për kryetarin e joshumicës, jo serbe. Debati ka qenë në atë pozitë”, ka thënë Damka.
Megjithatë, edhe Rexhepi edhe Damka thanë që, përkundër që nuk do jenë në pozitat e mëparshme, do ta votojnë Kurtin për kryeministër.