Ekipi kosovar do të ndeshet të shtunën e 24 shtatorit me ekipin e Irlandës së Veriut.
Kapiteni i dardanëve, Amir Rrahmani, do të mungojë gjatë lojës së sotme për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, bëri të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes një postimi.
Përzgjedhësi Alain Giresse theksoi se Kosova synon rezultat pozitiv në këtë takim në mënyrë që ta ruajë pozitën e dytë në grup.
“Ndeshja, patjetër, se është e rëndësishme për ne, sepse është ndeshje zyrtare e UEFA-s dhe vlerësohet në sistem të poentimit. Kështu që kemi të bëjmë me një ndeshje që ka rëndësi. Ne kemi ardhur këtu për të tentuar të marrim rezultat pozitiv në këtë përballje dhe besoj se do t’ia dalim. Është e qartë që Greqia e ka fituar grupin, por për ne tani është e rëndësishme ta konfirmojmë pozitën e dytë këtë cikël të Ligës së Kombeve”, ka theksuar Giresse.
Në anën tjetër, mesfushori Bersant Celina theksoi se janë të vetëdijshëm se i pret një përballje e fortë në Belfast, por theksoi se ekipi është përgatitur gjatë tërë javës për të treguar lojë sa më të mirë.
“Do të jetë një duel shumë i vështirë, por ne jemi të gatshëm dhe të kënaqur të jemi pjesë e kësaj ndeshjeje të fortë. Do të tentojmë të japin më të mirën tonë dhe të marrim një rezultat të favorshëm. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak lehtë, ngase Irlanda e Veriut është ekip agresiv. Megjithatë, edhe ne kemi synimet tona dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën në fushë”, ka thënë Celina.
Ndërkaq, Federata e Futbollit të Irlandës së Veriut që udhëhiqet nga Conrad Kirkwood, në prag të ndeshjes, gjatë të premtës së 23 shtatorit, ka shtruar një darkë për Federatën kosovare në shenjë mbështetje dhe falënderimi.