Kombëtarja e Kosovës në futsall, do të zhvillojë ndeshjen e tretë në kuadër të fazës “Main Round” për kualifikimet e Botërorit 2024.
Ndeshja, siç bën të ditur Federata e Futbolit të Kosovës, do të zhvillohet të mërkurën e 9 nëntorit, ku dardanët do të përballen me Ukrainën.
Kombëtarja e Kosovës në futsall priret nga Arben Simitçiu.
Ndeshja do të fillojë nga ora 17:00, e cila do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe hyrja për tifozët është falas.
FFK njashtu ka bërë të ditur se Kombëtarja e Kosovës në futsall ka tri ditë që po përgatitet për këtë ndeshje.
Simitçiu ka ftuar tifozët në sallë për të mbështetur lojtarët, gjersa ka shtuar se Kosova synon të befasojë Ukrainën, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndërsa, Endrit Hajdini, lojtar, beson se ndeshja do të jetë me fat.
“Meqenëse loja luhet në Prishtinë bësoj në përkrahjen e fuqishëm të tifozëve. Shpresojmë në fitore, ngase e njohim kundërshtarin dhe e kemi analizuar në ndeshjen e kaluar”, ka thënë Hajdini për FFK-në.
FFK shkruan se kombëtarja synon ta mposhtë favoriten e grupit, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim tutje.