Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit.
Zëdhënësi i DASH, Matthew Miller, përmes një postimi në rrjetin social “X”, ka theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për gjetjen dhe ndëshkimin e personave të përshirë në këtë akt.
“Dënojmë sulmin e 29 nëntorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falë punonjësve të urgjencës dhe të tjerëve, përfshirë KFOR-in, për rivendosjen e furnizimeve thelbësore”, ka shkruar ai.
Mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit.
Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.