“Kosova dhe Serbia janë vende sovrane që kanë të drejtë të përcaktojnë prioritetet e tyre të politikës së jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan(DASH), në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
Këtë reagim, ai e ka bërë duke iu referuar deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit me rastin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës(KE)
Me marrëveshjen e nënshkruar në shtator të vitit 2020, Serbia dhe Kosova u angazhuan për bashkëpunim ekonomik, por edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.(ShBA)
Pjesë e marrëveshjes ishte moratoriumi njëvjeçar, ku Kosovës i kërkohej që të mos aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbisë i kërkohej që të përmbahej nga një fushatë diplomatike për të tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa moratoriumi ka skaduar më 4 shtator të vitit 2021.
“Moratoriumi ishte krijuar për të zgjeruar hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, që ne besojmë se është në interesin strategjik të të dyja vendeve”, ka njoftuar DASH.
“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian(BE), është vendimtar për të dyja vendet që të zhbllokojnë të ardhmen e tyre evropiane. Ne u bëjmë thirrje atyre për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, thuhet më tutje.
Shtatorin e kaluar, në prag të përvjetorit të Marrëveshjes së Uashingtonit, Departamenti i Shtetit ka inkurajuar drejtpërdrejt Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin rreth çështjeve që mund ta ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
Pasi ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka paraqitur kërkesën zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në KE, të enjten, Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se Prishtina e ka “shkelur brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.
“Pas gati dhjetë vitesh të nëpërkëmbjes së marrëveshjes së Brukselit, tash e kanë shkelur marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa as ata dhe as mentorët e tyre nuk e kanë respektuar ndonjëherë Rezolutën 1244”, ka theksuar presidenti i Serbisë.
Ndryshe, Marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar pas dy ditësh bisedime ndërmjet përfaqësuesve më të lartë të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kryeqytetin amerikan më tre dhe katër shtator të vitit 2020, gjatë administrimit të presidentit, Donald Trump.
Kjo marrëveshje ishte ndërmjetësuar nga i dërguari i Trumpit për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.
Administrata e Bidenit ka pranuar obligimet nga marrëveshja e Uashingtonit, të cilën e ka konfirmuar disa herë vitin e kaluar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet.
Ndihmëssekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, gjatë vizitës së saj të fundit në rajon, ka biseduar me presidentin Vuçiq edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ata kanë rënë dakord që çështjet e hapura në dialog mund të zgjidhen nën patronazhin e BE-së, për të arritur deri te një zgjidhje.