Në raportin e Departamentit të Shtetit amerikan (DASH) për të drejtat e njeriut në botë gjatë vitit 2021, thuhet se në Kosovë po vazhdon mosndëshkimi i korrupsionit.
Ndonëse qeveria ka ndërmarrë hapa në identifikimin e zyrtarëve që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, në raport thuhet se ndonjëherë e njëjta nuk kishte qëndrueshmëri në veprimet e saj, shkruan Zëri i Amerikës.
Kjo, për shkak të raportimeve të rasteve ku zyrtarët e lartë janë përfshirë në korrupsion ose kanë vepruar pa u ndëshkuar.
Sipas raportit, edhe pse disa shkelës të detyrës janë pezulluar dhe ndëshkuar, disa të tjerë të korruptuar kanë vazhduar të mbajnë poste në sektorin publik.
DASH, në raport thuhet se Prokuroria e Posaçme ngriti nëntë aktakuza lidhur me korrupsionin deri në dhjetor të vitit 2021, por një pjesë e vogël e rasteve të korrupsionit që u hetuan dhe për të cilat u ngritën akuza, përfunduan me dënime.
Organizatat joqeveritare vendase dhe organizatat ndërkombëtare, kanë pretenduar për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë për korrupsion ishte shpesh i butë.
Krimet e luftës
Po ashtu, në këtë raport është përmendur edhe puna e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte në Hagë.
Janë 12 raste të krimeve të luftës të cilat deri në shtator PSRK kishte nën hetim zyrtar.
Sipas Komisioni qeveritar për Persona të Zhdukur, në muajin shtator është thënë se janë 1 mijë e 632 persona të cilët ende llogariten si të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Bazuar në të dhënat e komisionit, rreth 70 për qind janë shqiptarë ndërsa 30 përqind ishin serbë, romë, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, goranë, malazez e të tjera.
Keqtrajtimi i të burgosurve
Në këtë raport janë përfshirë edhe ankesat për keqtrajtimin e të burgosurve si dhe përdorimin e dhunës nga pjesëtarët e organeve të rendit.
Sipas këtij raporti, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) deri në muajin nëntor kishte pranuar 1 mijë e 862 ankesa, ku 617 prej tyre janë dërguar për hetim penal.
Ankesat kryesisht ishin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëndim trupor, kanosje dhe dhunë në familje. Inspektorati raportoi se 158 policë ishin nën hetim, 78 ishin pezulluar dhe 31 ishin arrestuar.