Ditëve të fundit liqeni i Ujmanit është futur në listën e destinacioneve për qytetarët, që kohë më parë kanë hezituar ta vizitojnë për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se në Ujman mund të ketë patrolla të policisë, por që ata e kryejnë punën e tyre.
Teksa shton se ky fakt kur ata janë të pranishëm na gëzon për shkak se krijohet siguri.
“Në Ujman ekzistojnë patrolla të Policisë së Kosovës që është punë e tyre, pra është gjendje operative e tyre, ata e dijnë më së miri ku si dhe pse të patrollojnë, neve si qytetarë të Republikës së Kosovës na gëzon fakti kur e shohim policinë, kur e sheh Policinë e Kosovës e krijon sigurinë individuale e sigurinë private që je i sigurt, dhe stadi i tretë siguria publike, por ka edhe pjesë tjera që janë punë vetëm të policisë, por ata na shohin nuk ka nevojë t’i shohësh në mënyrë fizike,” tha Dashevci në “Rreth e Rrotull”.
Dashevci thotë se liqeni i Ujmanit është ndërtuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Në aspektin e sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës, Ujmani ka qenë jeta, sepse është ndërtuar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës ku pjesa e fundit te penda është thellësia më e madhe, 100 metra. Liqeni ka filuar në vitin 1978 dhe ka përfunduar për 4 vite, ka qenë lumi më i pastërt në ish-jugosllavinë që njihet se ka shumë jod,” shtoi ai.
Ndërsa aktivisti Albert Shabani, i cili vizitoi liqenin gjatë ditës së djeshme, thotë se ishte ndjenjë krenarie që ta vizitosh e të ndjehesh i sigurt.
“U diskutua se vizitorët po ruhen nga policia dhe unë kam shkuar vetë me pa për së afërmi me pa si është gjendja, ishte krenari me veturë një 02 RKS deri në Bërnjak në pikën kufitare në Serbi, kam shku krejt në fund në Ujman, nuk kam parë patrullime të policisë,” tha Shabani.