25 vjet më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Gllogjan zhvilloi një nga betejat më të ashpra me paramilitarët serbë. Kjo ngjarje njihet ndryshe si Epopeja e Dukagjinit.
Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet kryesore të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1998 kur forcat serbe rrethuan Gllogjanin, qëllimi kryesor i tyre ishte shtëpia e familjes Haradinaj, e cila nuk kurseu asgjë kur bëhej fjalë për atdheun.
Dëshmorët e 24 Marsit, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj, ishin të parët që ranë heroikisht derisa shkuan për t’i ndihmuar disa nxënës që ishin zënë rob në shkollën e Gllogjanit.
Familja Haradinaj ishte ajo që i priu luftës në Dukagjin, e për këtë ngjarje historike ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ka rrëfyer në emisionin Radar, se si fuqia mbas vrasjes masive në Prekaz dhe familjes Jashari, ishte mesazh që Serbia nuk do ta kursente asnjë më.
“Fuqia mbas vrasjes masive në Prekaz e familjes Jashari ishte mesazh që Serbia nuk do të kursente, edhe ne u mobilizuam ishim të gatshëm për t’u mbrojtur, por edhe për të dërguar mesazhin tonë, që koha se shtetin serb me negociata mund ta ndalim veç ka marrë fund dhe ashtu ndodhi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se atë ditë kanë qenë në përgatitje dhe janë mobilizuar në tërë rajonin e Deçanit, që të jenë gati nëse do të shpërthejë lufta.
Po ashtu, ai ka treguar rastin e ballafaqimit të parë me forcat serbe.
“Përgatitjet tona ishte edhe me dal publikisht me i vendos pozicionet, por Serbia ishte një hap para neve dhe natyrisht duke u kthyer në shtëpi me Rasim Selmanin, dhe ata ma nxunë rrugën, isha i armatosur edhe natyrisht ‘dy duar përmbi kokë’ thuhet me një shprehje popullore”, është shprehur ai.
Pas ballafaqimit me forcat serbe, Haradinaj ka thënë se pas fillimit së betejës, për 16 orë kanë pasur të plagosur.
“Kështu krisi lufta dhe prej atij momenti deri në përfundimin e luftës për 16 orë kemi pasur të plagosur, Ramushi ishte plagosur rëndë, ishte vrarë Agroni, Gazmendi e Hima. Serbët arritën t’i kapim fëmijët e Glogjanit që t’i vendosin si barrikadë e gjallë, por ata fëmijë falë edhe mësuesve, por kur pa harruar edhe falënderimin për prift e kishës së Novosellës që arritën në një formë me i bind që t’i marrin me strehu për disa ditë e radhë”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, pavarësisht rrethanave që ishin, Serbia u tërbua, e ky ishte një lajm i mirë për Dukagjinin dhe për gjithë për kombin.
“Ne nuk patëm dëme në fëmijë dhe civil, por lufta pa gjak nuk fitohet atë ditë, ne i humbëm tre shokë, por i fituam mijëra shpirtra shqiptar që të nesërmen ishin të gatshëm me u sakrifiku. Natyrisht jo lehtë, por Serbia e mori goditjen e parë, dhe mesazhi ishte që ne mund ta thyejmë Serbinë në Kosovë”, është shprehur tutje ai.
Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe protestën që do të mbahet më 2 prill për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, dhe në shenjë solidariteti kërkojnë drejtësi për ta.
Ai këtë protestë e ka quajtur një mesazh publik që Kosova nuk e harron historinë e vet dhe vlerën e vet. “Nuk duhet me i pa ata që janë në Hagë si akterë politikë, por përfaqësues të luftës çlirimtare”, ka thënë ai.