Debati i tretë i kandidatëve republikanë për president, mungon Trump-i

Kandidatët u përplasën kur u fol për Kinën dhe Ukrainën, ndërsa përballen me një trysni në rritje për të ngushtuar hendekun që kanë me Donald Trump-in, i cili përsëri nuk mori pjesë në debat

Në debatin e parë që nga shpërthimi i luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit, të pesë kandidatët republikanë për president deklaruan mbështetjen e fortë për Izraelin. Por, kandidatët u përplasën kur u fol për Kinën dhe Ukrainën, ndërsa përballen me një trysni në rritje për të ngushtuar hendekun që kanë me Donald Trump, i cili përsëri nuk mori pjesë në debat.

Në qendër të debatit të tretë ishin pretendentët Ron DeSantis dhe Nikki Haley, kjo e fundit është shfaqur konkurrente në disa sondazhe kombëtare për vendin e dytë ku renditet guvernatori i Floridës.

Haley, e cila ka qenë guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, tha se do t’u jepte fund marrëdhënieve tregtare me Kinën “deri sa ata të ndalonin vrasjen e amerikanëve nga fentanili, diçka që Ron ende nuk ka thënë se do ta bëjë”, tha ajo.

DeSantis tha se Haley i mirëpriti investimet kineze në shtetin e saj”, duke iu referuar marrëveshjeve për pronat e patundshme dhe të zhvillimit ekonomik.

Haley më pas e akuzoi DeSantis se i kishte fshirë të dhënat në faqet zyrtare në internet për të fshehur se Florida e kishte paraqitur veten si mikpritëse për bizneset kineze.

Të pesë pretendentët në skenë u përballën me një urgjencë të re për të ngushtuar hendekun e mbështetjes që gëzon Trump-i ndërsa afrojnë zgjedhjet paraprake në shtetin Ajova, një provë në mes të kandidatëve republikanë.

Shumë prej kandidatëve e kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin me shpresën për të rritur mbështetjen si konkurrentë të mundshëm përballë ish-presidentit.

Ata e kanë vënë theksin te dallimet e tyre në politikën e jashtme, por, gjithashtu, e kanë dënuar ashpër Trump-in për kritikat e tij ndaj kryeministrit izraelit pas sulmit të Hamasit dhe cilësimin e grupit që sulmoi Izraelin si ‘shumë të zgjuar’.

Në debat morën pjesë edhe kandidatët Tim Scott, senator i Karolinës së Jugut, Chris Christie, ish-guvernator i Nju Xhersit dhe Vivek Ramaswamy, sipërmarrës në fushën e bioteknologjisë.

Duke shprehur mbështetjen për Izraelin, disa kandidatë thanë se do të ushtronin trysni ndaj universiteteve dhe kolegjeve për të luftuar antisemitizmin.

Rivaliteti midis DeSantis dhe zonjës Haley është shtuar gjatë javëve të fundit, ndërsa një sondazh i njohur në Ajova tregon për rritje të mbështetjes për ish-guvernatoren. Gjithashtu, ka një rritje të interesit në mes të donatorëve dhe votuesve për zonjën Haley.

Sipas sondazhit të fundit të Universitetit Quinnipiac, ish-presidenti Donald Trump gëzon mbështetjen më të madhe në mes të republikanëve, me 64 për qind mbështetje, i pasuar nga Ron DeSantis me 15 dhe Nikki Haley me 8 për qind mbështetje. Trump-i nuk ka marrë pjesë as në dy debatet e mëparshme.

Partia republikane ka caktuar mbajtjen e një debati tjetër më 6 dhjetor. Pastaj, kushtet për debatet pasuese do të jenë shumë më të forta, duke e zvogëluar më tej numrin e kandidatëve republikanë që do të mund të marrin pjesë në debatet e ardhshme të partisë./VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika