Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë e ka vazhduar dëshminë Gjergj Dedaj, i cili është dëshmitari i 33-të (me kodin Ë03825) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Dedaj është pyetur nga prokurorja për “një luftë speciale ndaj UÇK-së”. Dedaj tha se nuk është në dijeni për këtë gjë, por sipas tij, ka pasur individë në parti të ndryshme politike që kanë propaganduar kundër UÇK-së.
“Luftë speciale kundër UÇK-së po e dëgjoj vetëm prej jush sot. Ka pasur individë në parti të ndryshme politike që kanë propaganduar kundër UÇK-së, janë munduar me etiketu, individë, jo liderë të partive, por ka pasur individë. Luftë Speciale që ka pasur unë nuk jam në dijeni”, tha ai.
Prokurorja ia përmendi disa deklarata të mëhershme të tij, ku pretendohet se kishte thënë që Hashim Thaçi e kishte kërcënuar me jetë në rast se nuk do të jepte dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë Liberale dhe funksionet e tjera politike.
“Nuk më kujtohet. Me Hashim Thaçin jemi përshëndetur burrërisht me dorë, si duhet, tjerat nuk më kujtohen. Nga këto deklarata jam distancuar komplet, sepse kanë qenë deklarata të dhëna në gjendje të rënda, kam pasur idhnime të mëdha, për ju të pabesueshme, ishalla nuk i përjetoni, ekzagjëruese, të tepërta, jam distancuar. Po i hapni plagët e Kosovës e plagët e mia, po e pengoni procesin e pajtimit dhe të faljes”, tha ai.
Dëshmia e Dedajt ka vazhduar në seancë private me kërkesë të Prokurorisë.