Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Gjergj Dedaj, i cili është dëshmitari i 33-të (me kodin W03825) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
I pyetur se çfarë mendon për ish-presidentin Ibrahim Rugova, ai tha se ai ishte themelues i shtetit të Kosovës, kurse ish-presidenti tjetër, sipas tij, e përmbylli procesin e pavarësisë.
“Presidenti Rugova është themelues i shtetit të Kosovës, ndërsa lideri Hashim Thaçi e ka përmbyll procesin e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.
Dedaj u pyet për karrierën politikë të tij ndër vite, ai u përgjigj duke thënë se nga pozita e fundit, ajo e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, u largua dhunshëm nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sipas tij, e vendosi në atë pozitë burrin e saj, Prindon Sadriun.
“Postet tjera mund t’i flasim më vonë, në 2004 kam fituar ulësen e deputetit, kur është themeluar këshilli transitor, kam qenë pjesë e këtij këshilli, zëvendësministër i Jashtëm dhe më së fundi ambasador që jam largu dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga presidentja Osmani për qëllime politike, në vend timin e ka dërguar burrin e saj”, tha ai.
Tutje, ai tregoi se për shkak të terrorit serb, ai ishte detyruar të heqë dorë nga mësimdhënia.
“Për arsye se Serbia kishte ushtruar terrorin dhe gjenocidin, u detyruam të heqim dorë nga mësimdhënia dhe gjithë kohën kapacitetet e mia t’i vë në dispozicion të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe organizimin e jetës. Ishin mbyllur shkollat, ishin përjashtuar mësimdhënësit, dëshironim që ta mbanim jetën edhe pse kushtet ishin të vështira. Kjo është arsyeja pse dhashë dorëheqje nga mësimdhënia”, tha ai.
Dedaj tha se gjatë luftës ka organizuar një sërë protestash kundër pushtimit serb dhe dhunës së krijuar.
Gjatë luftës në radhë të parë kam qenë organizator i demonstratave kundër Millosheviq, kam organizuar 60 demonstrata që u kam prirë të gjitha, me solidarizu më UCK-në, me ftu NATO-n të intervenojë dhe ta shpëtojë popullin civil. Në 98 i kemi mbajtur disa zgjedhje të diskutueshme, por që ta kemi një adresë që delegacionet kur të vijnë të kenë me këtë të bisedojnë.
Dedaj theksoi se regjimi i Serbisë ia ka vrarë 12 anëtarë të familjes, ndër ta dy të mitur.
“Kam lëndim në zemër, e kam zemrën me tela që ma ka shkaktuar Serbia, i kam stendat në zemrën time, në shpirtin tim. Serbia më ka vra 12 anëtarë të familjes, 2 të mitur… në këtë dhomë këtu para kriminelit Millosheviq, kam folur ballë për ballë…”, tha ai.
I pyetur se a ka pasur tensione me institucioneve të Kosovës të viteve 90-ta dhe UÇK-së, ai tha se kishte vetëm moskoordinim dhe ndonjëherë moskuptime.
“Ka pasur moskoordinim, mosinformim, flas për udhëheqjen poltike në Prishtinë, e kanë shikuar me droh dhe me shqetësim shfaqjen e UÇK-së, që në fakt që e bëri realitet lirinë e Kosovës. Ka pasur individ brenda partive, që kanë bërë dezinformata kundër UÇK-së, personalisht kam pasur dëshirë të shkoj në ato zona..”, tha ai.
Dedaj tha se në vizitën e tij dhe disa deputetëve të tjerë në Qirez, nuk e kanë njoftuar UÇK-në e as zyren e Adem Demaçit.
“Nuk e kemi parë të arsyeshme që deputetët nuk i kemi njoftuar. UÇK nuk ka qenë në dijeni që kemi shkuar në Çirez”, tha ai.
Ndryshe, këtë seancë, Jakup Krasniqi është duke e ndjekur përmes videolidhjes, ndërsa të akuzuarit e tjerë janë prezent në sallë.