Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Lipjan, duke parë gjendjen e rënduar në të cilen ndodhet stadiumi në Dobrajë të Madhe, dhe pas arrestimit të zyrtarëve të Komunës së Lipjanit që po hetohen për dëmtim të buxhetit komunal përmes pranimit të punimeve në stadiumin e Magurës, ka kërkuar të zbardhet edhe rasti i ndërtimit të studiumit në Dobrajë të Madhe.
“Shumë gjatë e kemi pritur finalizimin e projektit të stadiumit të futbollit por deri më tani punimet po zvarriten. Ndërkohë, kjo çështje ka ndikuar direkt edhe në rezultatin e klubit “Arbëria” i cili para disa kohësh ka rënë nga superliga. E, krejt kjo si pasojë e mungesës së stadiumit për stërvitje dhe aktivitete të tjera”, thuhet në komunikatën e degës dërguar për media.
Ndërkaq, është theksuar se mjetet financiare për ndërtimin e këtij stadiumi janë ndarë por dyshohet se janë keqmenaxhuar.
“Tani e disa vite stadiumi e futbollit në Dobrajë të Madhe është ende jofunksional, madje si stadiumi në Magurë që shihet si projekt i dështuar, ndërsa ai në Dobrajë të Madhe ende larg për tu bë funksional për shkak të dështimeve në zbatim të projektit, janë ndar mjetet financiare prej 680.000 (gjashtëqind e tetëdhjetë mijë euro), dyshohet se janë keqmenaxhuar e keqpërdorë dhe qeverisja komunale që po i dëmton rëndë sportistët dhe buxhetin e komunës”, bëhet e ditur në komunikatën e kësaj partie.
Tutje, kjo degë ka treguar se i kanë adresuar edhe më parë dyshimet e tyre për keqpërdorim të buxhetit, por që ende nuk është ndalur si fenomen.
“Për këto dështime përgjegjësinë penale duhet të bartë udhëheqja e komunës së Lipjanit, në krye me Imri Ahmetin. Kohë më parë, ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që hetuesit e Krimeve Ekonomike të hetojnë Komunën e Lipjanit, duke nisur se gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm alarmonin për shumë parregullësi në këtë komunë, si: zhvillim të procedurave të prokurimit jashtë planifikimit, dobësi gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, vonesa në realizimin e punimeve”
“Po ashtu ne kemi publikuar edhe shumë rastet të dyshimeve për keqpërdorime të qeverisjes së Imri Ahmetit, diskriminimi në sistemin arsimor, kurdisja e konkurseve, kurdisja e tenderëve me kompanitë, dhënia e tenderëve mbi baza familjare, keqpërdorimin e subvencioneve, arrestimin e anëtarit të kryesisë së LDK-së në Lipjan për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, keqpërdorimin e subvencioneve, dhe marrje ryshfeti”, theksohet tutje nga dega e PDK-së në Lipjan.
Kjo degë ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e tyre, që nuk do të ndalin denoncimet për shkeljet e bëra nga ‘ekzekutivi i Komunës së Lipjanit.
“Ekzekutivi i komunës së Lipjanit si prioritet i ka interesat e veta politike dhe jo interesat e qytetarëve. Ky ekzekutiv i komunës nuk i përjeton ndjenjat e tifozëve të klubeve.Ne nuk do të ndalemi së denoncuari çdo shkelje të bërë nga ekzekutivi i Komunës së Lipjanit, sa herë që kemi fakte dhe dëshmi. Do t’ua rikujtojmë ato në vazhdimësi qytetarëve dhe organeve të rendit, derisa drejtësia të vihet në vend”, thuhet në komunikatën e degës së PDK-së në Lipjan.