Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të enjten dëshminë dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është e 41-ta dhe mban kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përpara se të fillohet me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitares, kryetari i trupit gjykues, Charles SMith III, kërkoi të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitares, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, seanca më nuk u hap dhe nuk dihet se kush është duke e marrë në pyetje dëshmitaren.
Mirëpo, se dëshmitarja po e vazhdon dëshminë e saj, u bë e ditur edhe përmes një njoftimi të DhSK-së.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.