Deklarata e ambasadorit Hovenier, akuza se Kosova po nxit tensione

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po nxit tensione ndëretnike me veprimet e fundit, teksa përmend edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po nxit tensione ndëretnike me veprimet e fundit.

Teksa u shpreh i shqetësuar për veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës, Hovenier përmendi edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Në deklaratën e publikuar të shtunën në mbrëmje në platformën “X”, Hovenier ka përmendur çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

“Ne presim që autoritete e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, ka deklaruar Hovenier duke thënë se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihen në dialog.

“Çështjet e lidhura me strukturat e përkrahura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova ta shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operimet me Para të gatshme deri sa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe deri sa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”.

Sipas Hovenier, rregullorja e BQK-së që ndalon dinarin serb, rrezikon të nxisë tensione të reja.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë garanci se situata nuk do të dalë jashtë kontrolli si pasojë e ndalimit të dinarit serb.

Të enjten, më 1 shkurt hyri në fuqi Rregullorja për Operacionet me Paratë e Gatshme, përmes së cilës ndalohet ri-qarkullimi i kartëmonedhës 500 euroshe dhe theksohet se valuta e vetme zyrtare në Kosovë është euro.

Lidhur me Rregulloren e BQK-së kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga BE-ja, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhej në deklaratën e BE.

Bashkimi Evropian tutje në këtë deklaratë ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika