Analisti Dardan Gashi ka thënë se deklarata e Escobar, lidhur me implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, paraqet një frustrim të SHBA-ve me Qeverinë Kurti.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Gashi ka thënë se që nga marrja e situatës në dorë nga Qeveria Kurti në Veri, situata është përshkallëzuar.
“Nëse Amerika thotë se kjo qeveri është, qysh mendojnë një pjesë e njerëzve e ndër ta edhe unë, që s’vyn send për këtë vend, që ka ardhur deri në këtë pikë, këta (SHBA) munden të thonë që kjo qeveri duhet të shkojë, dhe në vend të saj të vije një tjetër”, ka deklaruar Gashi.
Komente të tilla të Gashit erdhën pas deklaratës së Escobar, i cili kishte cekur edhe alternativa në mungesë të Qeverisë së Kosovës drejt implementimit të Asociacionit.
“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjëve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën, duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thuhej në deklaratë.
Sipas Gashit, te partnerët alternativë, Escobar kishte lënë t’i kuptonte subjektet e tjera politike dhe krahas kësaj, një deklaratë e tillë paraqiste një frustrim.
“Me këtë deklaratë, nuk është duke i dhënë lëvdatë Qeverisë, kjo nuk është vetëm për Asociacionin. Kjo është frustrimi që e kanë amerikanët me këtë qeveri prej fillimit”, ka deklaruar Gashi, gjersa më vonë, ka theksuar se “brilianti Kurti ia ka lëshuar komplet terrenin Vuçiq-it”.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Escobar ka thënë se e bëri të qartë se tema e Asociacionit do të fillojë të diskutohet së shpejti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të martë, priti në takim përsëri përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, edhe pse me të ishte takuar një ditë më parë.
Gjersa tha se përpjekjet në zbatimin e planit franko-gjerman kanë mbështetjen e tij, Escobar theksoi se duhet të fillohet të diskutohet edhe zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë. Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i BE-së është këtu dhe shpreha mbështetjen ime për përpjekjet e tij që të lëvizë në propozimin franko-gjerman”, ka deklaruar Escobar.