Lidhur me deklaratën e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, është pyetur ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për media pas mbledhjes së sotme të qeverisë.
Murati ka thënë se konsultohen e koordinohen gjithherë me aleatët e vendit, lidhur me rregulloren e miratuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Duhet theksuar që vendimi është marrë nga BQK në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Ne patjetër që konsultohemi, koordinohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që synon të arrijë rregullorja e miratuar e BQK-së, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund”, ka thënë Murati.
Murati është shprehur se dallimi i vetëm që është te partnerët ndërkombëtarë, është për periudhën transitore.
“Nuk ka dilema as kurrfarë dallimi sa i përket qëllimit që duam të arrijmë, i vetmi dallim është se si të dallohet periudha transitore. BQK është e angazhuar tej mase për të ofruar përgjigje sa i përket shqetësimeve të ngritura dhe propagandës së disa prej elementeve nga Beogradi që të krijojnë mjegull ndaj një çështje teknike dhe krejtësisht ligjore”, ka thënë tutje ministri Murati.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin.