Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës.
Pas kalimit të seancës në sesion publik, dëshmitari Zijadin Hoxha po e vazhdon dëshminë e tij në çështjen gjyqësorë ndaj Pjetër Shalës.
Prokurori Cezary Michahlczuck e ballafaqoi dëshmitarin Zijadin Hoxha me disa deklarata të vitit 2020, të cilat ishin kontradiktore me ato që ai po i thotë ditëve të fundit në seancë gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këto ndryshime të deklaratave, Hoxha thotë se në intervistën që ka dhënë për ZPS-në në vitin 2020 ka qenë në gjendje të papërgatitur.
“Vetëm një, po harroni që faktikisht këtë intervistë e kam dhënë 20 vjet pas luftës. E dyta; Nuk kam qenë i përgatitur me dhënë këtë intervistë se nuk i kam mendu këto sene që kanë me mu nevojite kurrë në jetën time dhe faktikisht kur e kam dhënë këtë intervistë mundem me gabu. Tash e dy vite që më keni marrë në pyetje faktikisht kam pas kohë me mendu, komplet skenën faktikisht qysh ka qenë tek ka qenë sa mu ka kujtu. Kur më keni marrë s’pari herë në pyetje, atëherë ka pasë mundësi me qenë i papërgatitur. Mundet me ndodhë që kam thënë vetëm një kamion dhe them se kanë qenë tre ose katër”, tha dëshmitari Hoxha.
Në këtë intervistë të dhënë për ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se në uzinë ndodhej vetëm një kamion i prishur, ndërsa kohëve të fundit thotë se kanë qenë më shumë.
Ndryshe, gjatë kësaj seance pritet që të vazhdojë dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha, dëshmia e të cilit ka filluar ditën e hënë më 20 nëntor.
Këtë dëshmitar parashihet që ta marrë në pyetje një përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ndërsa, mbrojtja e Pjetër Shalës ka paraparë maksimumi 2-3 pyetje për këtë dëshmitar.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betimin e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe të urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi