Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, gjersa ka folur për Deklaratën për të Zhdukurit e cila është miratuar gjatë takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se në bisedimet e tyre janë të njëjtat fjalë që janë thënë 20 vjet më parë.
Po ashtu, në një lidhje direkte telefonike për emisionin FIVE, ai është shprehur se të gjitha bisedat për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë janë të kota për ta shtyrë procesin ashtu siç e kanë shtyrë deri më tani.
“Por sidomos tash krejt këto biseda në këto marrëveshje të kota janë për të shtyrë procesin siç e kanë shtyrë deri më tash politika. Edhe pse mendojnë shqiptarët se atyre duhet të ju besohet se do t’i realizojnë ato që i kanë thënë, a besoni se akoma pa shkuar në Beograd i kanë ndryshuar fjalët edhe nuk i zbatojnë ato që i kanë thënë edhe para 10 vjetëve e lëre më tash”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, Çerkini ka thënë se pas takimit në Bruksel është arritur një mjegull më e dendur politike dhe sipas tij, politika është futur shumë thellë në çështjen e të pagjeturve.
“Kemi pasur një shpresë në vazhdimin e takimit dhe bisedat e Ohrit të vazhdohen edhe në Bruksel por edhe të dakordohen për realitetin se si të zbatohen ato biseda që kanë qenë në Ohër. Mjerisht atje kanë qenë pak mjegull politike kurse këtu është bërë mjegull edhe më e dendur dhe politika hyri shumë më thellë të cilat në këto gjëra i kemi parë para 10 vjetëve. I kemi shikuar të njëjtat pika për të cilat flitet sot në opinion dhe janë dakorduar dje në Bruksel”, ka thënë tutje ai.
Ai ka thënë se në takimin në Bruksel nuk janë marrë vesh konkretisht se cilat duhet të jenë hapat e parë, apo siç ka shtuar ai që të jepet një afat se kur duan të zbatojnë ato marrëveshje për të cilat kanë rënë dakord pa asnjë nënshkrim.