Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Smakiqi, pas përleshjes me Nuredin Lushtakun dhe disa familjarë të tij, të shtunën e dy korrikut, ka pësuar lëndime trupore.
I njëjti në një prononcim të shkurtër për RTV Dukagjini, ka mohuar të ketë pasur probleme të mërpashme me familjen Lushtaku.
Lidhur me rastin, Smakiqi ka deklaruar se ishte në orarin e tij të zakonshëm të punës duke e kryer detyrën zyrtare.
“Unë nuk kam pasur kurrë problem me familjen e Lushtakut. Unë kam qenë duke e kryer punën zyrtare”, ka thënë ai.
I pyetur nëse në të kaluarën ka pasur hetime ndaj tij nga Inspektorati Policor, Smakiqi ka thënë se për këto detaje janë organet kompetente.
“Unë ju tregova, më falni por për më hollësisht janë organet kompetente”, shtoi ai.
Ndryshe, si pasojë e një përleshjeje të ndodhur të shtunën e dy korrikut, në Skenderaj, kanë mbetur të plagosur dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
I përfshirë në rastin ishte ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe disa nga familjarët e tij.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë
Të hënën e katër korrikut, në Gjykatën themelore në Mitrovicë, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nuredin Lushtaku, ishte deklaruar se rrethanat e këtij rasti janë të montuara kundër tij.
Por, pavarësisht kësaj, Nuredin Lushtakut, dhe të pandehurve të tjerë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Çerkini, ka thënë se si avokat mbrojtës do të ankohet në Gjykatën e Apelit.
“Klienti im tri herë është paraqitur vullnetarisht në polici, nuk ka pasur nevojë për këtë masë”, është shprehur Çerkini.