Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për afera korruptive, teksa ka renditur disa “keqpërdorime” për të cilat PDK beson se janë vetëm disa nga rastet të cilat dëshmojnë për një qeverisje tre vjeçare të LVV-së “përplot me afera korruptive”.
Në një konferencë për media, Deliu ka theksuar se Kosova është bërë peng i “një qeverisje korruptive, të paaftë që po dëmton buxhetin e shtetit, mirëqenien e qytetarëve, të ardhmen evropiane të Kosovës dhe aleancat tona historike”.
Ajo potencon se PDK ka kohë që po e kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të parakohshme sa më parë.
“Dy ditë më parë është bërë publik lajmi se kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të ujësjellësit në Gjakovë, njeriu i LVV, Hasan Krasniqi, është arrestuar në pikëkalimin kufitar në perëndim të Bullgarisë. Sipas raporteve të mediave, ai është arrestuar në bazë të urdhërarrestit të INTERPOL-it, të lëshuar nga policia nën dyshim për trafikim me njerëz. Ky nuk është rasti i vetëm me shkeljet me të cilat është përballuar Krasniqi. I njëjti ndonëse kishte garuar në listën për asamble nga radhët e LVV-së në Gjakovë dhe nuk kishte arritur të fitonte votat e nevojshme, vetëm tre muaj më pas, në janar të vitit 2022, ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në kompaninë rajonale të ujësjellësit”, u shpreh ajo.
Deliu thotë se PDK inkurajon të gjitha organet e drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet të plotë të gjitha aferat me të cilat siç thotë ajo po përballet kjo qeveri dhe zyrtarët e saj.
“Fillimisht zgjedhja e tij si kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrje publike pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, të mos kenë angazhime për 36 muaj. Rasti i zyrtarit të LVV-së i përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare, krim dhe korrupsion, nuk është as rasti i parë e as i fundit. Po përmend vetëm disa nga zyrtarët e partisë në pushtet të cilët gjatë këtyre tri viteve të fundit kanë zënë ballinat tona me skandale të panumërta. Besnik Mujeci, asmableist i LVV-së i arrestuar në Shqipëri, me 11 mijë e 300 tableta ekstazi… Nagip Krasniqi, një tjetër emër, i arrestuar për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare…. Faruk Mujku, ish nënkryetari i komunës së Mitrovicës, për të cilin mediat kanë raportuar se si komuna e Mitrovicës në kohën e Agim Bahtirit, vendosi që sallën e bibliotekës taq shndërrojë në kafiteri. Ridvan Muharremi, mik dhe bashkëpunëtor i njohur i LVV-së, i përfshirë në skandalin me rezerva shtetërore…”.
“Kupola e të gjithë këtyre keqpërdorimeve është ambasadori i Kosovës në Kroaci, miku dhe zyrtari i LVV-së, Martin Berishaj. Ai është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar…”, shtoi ajo.
Deputetja e PDK-së thotë se në dritën e këtyre zhvillimeve dhe qeverie e cila ka qenë “tejet dëshpëruese, e paaftë dhe në esencë shumë korruptive”, natyrisht thekson ajo se edhe për raportet ndërkombëtare për vendin nuk kanë se si të jenë as të mira e assesi pozitive.
“Sikurse qeverisja e dobët dhe e dëmshme të mos mjaftonte, kryeministri dhe qeveria jonë po përkujdeset që edhe raportet ndërtuara tash e sa vite me aleatët tanë të prishen. Tashmë janë bërë tetë muaj që Kosova zyrtarisht është nën sanksionet e BE-së”.