Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka selektuar pyetjet sot në seacën e Kuvendit.
“Tash e sa kohë institucionet kanë bërë përpjekje për të punuar thellësisht në rolin tonë mbikqyrës. S’e kemi parë tash e sa kohë përpjekjen e kryeministrit Kurti për të kapur çdo sistem,… edhe sot selektimi i pyetjeve ose më mirë të them të përgjigjet vetëm pyetjeve që kanë mbështetur Qeverinë, por ta minojë zërin e opozitës dhe të shkelë Kushtetutën, kjo është një qasje e papreçedentë”, ka thënë Deliu-Kodra.
Deputetja nga radhët e PDK-së ka thënë se sot kryeministri Kurti ka zgjedhur tu përgjigjej vetëm atyre që janë votues të marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Kryeministri Albin Kurti zgjodhi tu përgjigjej vetëm atyre që janë votues të marrëdhënieve ndërkombëtare, e të cilët janë deputetë të shumicës. Ai sot me një diktat të hapur, me qasjen e tij autoritare që tash e sa kohë jemi mësuar ta shohim, vendosi të mos u përgjigjet qytetarëve të Republikës së Kosovës…Sot kemi parë një tendencë diktatoriale, autoritare të Qeverisë për të provuar të nënshtrojë e tu përgjigjet vetëm atyre pyetjeve të cilat i kemi parë në Kuvend”, ka thënë tutje Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra ka shtuar se ajo që ka ndodhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës është një shantazh i hapur i Qeverisë.
“Ajo që ndodhi sot në Kuvend ishte përpjekje për diktat të Qeverisë ndaj organit mbikëqyrës të Kuvendit… Nga ajo që kemi parë sot në Kuvend është një përmbysje e rendit demokratik të Republikës së Kosovës, një shantazh i hapur i Qeverisë në raport me Kuvendin”, ka shtuar ajo.
Sipas deputetes Deliu-Kodra, ky është cenimi më i rëndë i demokracisë dhe vlerave demokratike.