“Ky pushtet sa herë i ka shkuar për shtati ka mbështetur vendimet e kësaj Gjykate, por kur kjo Gjykatë i ka evidentuar shkeljet e këtij pushteti, tash natyrisht që spo ju bie taman”.
Kështu ka deklaruar Blerta Deliu-Kodra nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten.
Në fjalën e saj, ajo e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si hap të mirë drejt mbrojtjes së rendit kushtetues, ndaj asaj që Deliu-Kodra e cilëson si tentativë e Qeverisë Kurti për ta shkelur atë.
“Konisderoj se është hap i mirë drejt mbrojtjes së rendit kushtetues përkundër tentativave të Qeverisë Kurti për ta shkelur atë. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë duke e shpallur si antikushtetues përpjekjen e kryeministrit dhe të kësaj qeverie për ta vënë në kontroll dhe për ta cenuar integritetin dhe profesionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me ndryshimet në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke e vlerësuar atë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.