Me katër vota pro dhe dy abstenime, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar shkarkimin e Blerta Deliu-Kodrës nga pozita e anëtares së Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Deliu-Kodra ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka linçuar publikisht, pasi ministria e ka quajtur “hajneshë” në një intervistë televizive.
Ajo e konsideroi këtë veprim si një tendencë personale të ministres.
“Ky diskutim nuk do të kishte me ndodh nëse ministrja nuk do të dilet në një linçim publik para së me sjell një raport në kuvend. Ministrja ka zgjedhur e para të ju drejtohet mediave për të më linçuar si hajneshë në opinionin publikë dhe pastaj të vije raportimi në Komision. Më vjen keq kjo po shihet së është vetëm tendencë personale. Nëse sot vini dhe thoni që Rozeta Hajdari nuk është fajtore, ti je fajtore. Unë jam turpëruar prej një interviste”, ka deklaruar ajo, raporton EO.
Në përgjigje, ministrja Haxhiu ka thënë se Deliu-Kodra duhet të kërkojë falje dhe të kthejë paratë që ka marrë pa u paraqitur në Komision.
Ajo e ka mohuar përdorimin e termave “hajn” ose “hajneshë” në intervistën e saj dhe ka thënë se ajo nuk ka keqpërdorur fondet publike.
“Unë mendoj që ajo as një cent se ka keqpërdoru për dallim prej teje. Turpërohu për veprimet tuaja, po të isha ne vendin tënd do të deklarohesha publikisht. Për besë nuk besoj kurrë që e kam përdoru termin hajn apo hajneshë. E vazhdoj debatin ne gjykatë mediat i ftoj që të jenë edhe në seancën gjyqësore. Po të isha ne vendin ënde do të kërkoja do ta ktheja buxhetin që është i shteti dhe jo i joti”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra, në shtator kishte dorëzuar një “padi për shpifje” ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për deklarata që ajo ka bërë në një studio televizive. Në përgjigje të kësaj padie, ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në një postim në Facebook.
Ministrja e Drejtësisë kishte akuzuar deputeten e PDK-së se ka marrë pagesa në mënyrë të paligjshme.
Në postimin e saj në Facebook, ministrja Haxhiu kishte thënë se do të publikojë një raport financiar, që sipas saj, dëshmon për shpërdorim të fondeve publike nga deputetja Deliu-Kodra, pavarësisht faktit që ajo nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.