Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, i është drejtuar ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke u thënë “Sa kushton çmimi i lirisë në Kosovë”?
Sipas Deliut, mospërfshirja e veteranëve në ligjin për pagë minimale, tregon një mospërfillje nga ana e Ministrit të Financave, Murati.
“Në vitin 2016, statusi i Hekuran Muratit është një shpërfillje, një arrogancë, që luftëtarët e lirisë i krahason me mercenarët”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se tashmë është e kuptueshme pse Qeveria ka përjashtuar veteranët nga ky projektligj.
Sipas Deliut, Qeveria është spektatore, siç thotë ajo, i vështron shqetësimet e qytetarëve, e tregohet mospërfillëse, duke drejtuar gishtin te opozita.
Ajo ka përfunduar duke thënë se “Qeveria po vazhdon të krekoset se ka rritur performancën”, ndërsa sipas saj, ka vetëm rritje enorme të çmimeve dhe jo rritje të performancës.