Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, të enjten ka vizituar fermerët e komunës së Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Demelezi, bashkë me fermerët e fshatrave Koshtovë e Vllahisë, Cerajë dhe Çabër në një takim të përbashkët diskutuan për hallet dhe vështirësitë me të cilët ata përballen gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre bujqësore.
Këtë e bëri të ditur ministria në fjalë, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se zëvendësministri Demelezi i inkurajoi ata që të aplikojnë në thirrjet e ministrisë dhe i siguroi që MBPZhR-ja, do të vazhdoj me mbështetjen ndaj fermerëve në tërë territorin e Kosovës përmes programeve vjetore të saj siç janë grantet dhe subvencionet.
Njëkohësisht sipas njoftimit, fermerët deklaruan se janë të kënaqur me përkrahjen që po bën Qeveria e Kosovës për atë pjesë.
Po ashtu, thuhet se kërkesë e tyre ishte që të zvogëlohet edhe më tej barra administrative tek Programi i Përkrahjes së Zhvillimit Rural – Grantet.
Gjithashtu, në fund Demelezi vizitoi edhe fshatin Çabër i cili pësoi dëme të konsiderueshme nga vërshimet e fundit, dhe pa nga afër dëmet që këto vërshime u shkaktuan fermerëve.
Ai u ka thënë atyre se Qeveria do të jetë krah tyre për të përballur me këtë situatë.