Pyjet e Kosovës janë thesari më i çmuar i vendit duke iu falenderuar relievit, klimës dhe hidrografisë. Këta faktorë natyrorë u shtojnë atyre edhe më shumë vlerën e i bëjnë më atraktive. Në sipërfaqen e përgjithshme të Kosovës, pyjet bëjnë pjesë rreth 41,8% të sipërfaqes.
Mirëpo, fondi pyjor i Kosovës është duke u varfëruar, si rezultat i prerjeve të pakontrolluara nga ana e individëve të pandërgjegjshëm.
Sipas Ligjit, pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare.
Në nenin 1, pika, 1.2 thuhet se ”Pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare. Do të udhëhiqen në atë mënyrë që të ofrojnë rendimente me vlerë dhe në të njejtën kohë të ruhet biodiversiteti për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Udhëheqja e pyjeve do të marrë parasysh gjithashtu edhe interesat të tjera publike”.
Por, pyjet po dëmtohen në shkallë të lartë, si me prerje, ashtu edhe me djegie, kryesisht gjatë stinës së verës.
Në rajonin e Mitrovicës, Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), për Portali D ka thënë se, bazuar në raportet e tyre për Regjionin e Mitrovicës, thuhet se është paraqitur dukuria e prerjeve ilegale e drunjve, dhe nga ato veprime ilegale po dëmtohen dhe degradohen pyjet dhe ambienti.
Agjencia Pyjore e Kosovës ka thënë se në stinën e verës, pyjet janë të rrezikuara në masë të madhe nga zjarret pyjore dhe dëme të tilla ka pasur edhe edhe gjatë vitit të kaluar.
Nga zjarret pyjore kanë qenë të përfshira, gjithsej, 2 mijë e 832 hektarë pyje dhe tokë pyjore.
Agjencia Pyjore e Kosovës ka thënë se ”nga data 01.07.2010 kompetencat e mbrojtjes dhe shfrytëzimit të pyjeve janë deleguar nga niveli qendror në atë lokal. Në këtë drejtim, rojet e pyjeve janë punëtorë të komunave, në kuadër të Njësive Komunale të Pylltarisë dhe përgjegjësia e drejtëpërdrejtë e mbrojtjes së pyjeve është e komunave”.
Sipas Agjencisë, ndaj dëmtuesve të pyjeve përgatisin fletëparaqitje (kundërvajtje ose penale, varësisht nga pesha e veprës ilegale që është kryer), të cilat dërgohen në Gjykata dhe dënimet merren nga Gjykatat.
Gjithashtu, ”në kuadër të Agjencisë Pyjore të Kosovës ekziston edhe Drejtorati Qendror i Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë, i cili ndërmerr veprime ndaj dëmtuesve të pyjeve. Këto masa përfshijnë ngritjen e fletëparaqitjeve ndaj dëmtuesve dhe në shumë raste ndërmerr edhe masa për konfiskimin e masës drunore të prerë ilegalisht”.
Në rastet e paraqitjes së zjarreve, rojet e pyllit dhe Njësitë Komunale i njoftojnë Njësitë Komunale të Zjarrëfikësve, të cilët veprojnë në shuarjen e zjarreve. APK tregon se koordinimi i komunave me zjarrëfikësit në shuarjen e zjarreve zhvillohet normalisht.
Zjarret e pyjeve përhapen shpejt dhe përfshijnë pjesë të pyllit, shkurret, bimësinë e ulët, barin në afërsi të sipërfaqeve bujqësore, lagjet e pabanuara dhe zonat deri te të cilat është e vështirë të arrihet.
Kushtet e veçanta të kohës, temperaturat e larta, era e fortë dhe koha e thatë, ndikojnë në krijimin dhe përhapjen e zjarrit. Zjarret mund të shkaktohen nga dukuritë natyrore, si goditja e rrufesë (ky lloj është më i rrallë) dhe nga faktori njeri. Mënyrat kryesore të përhapjes së zjarreve në pyje janë:
-Rastësisht (lidhja e shkurtër, ngrohja e makinës, shkëndijat e shkaktuara gjatë punës).
-Ndezja e paqëllimshme (sjellja me papërgjegjësi në piknik dhe hedhja e materialeve të ndezshme).
-Shkaktimi i zjarrit me qëllim nga dora e njeriut dhe kryerja e aktiviteteve bujqësore si, djegia e barërave të këqija dhe mbeturinave të tjera me origjinë bimore, është e ndaluar me ligj për mbrojtjen nga zjarri. Fatkeqësisht, këto janë edhe disa nga shkaqet më të shpeshta.
Zjarrëfiksit të lënë anash nga shteti
Njohësi i emregjencave, Tahir Ahmeti për Portali D ka thënë se Shërbimi i Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit vazhdon të jetë sektor i sigurisë më i papërkrahur nga shteti.
Zjarrëfikësit në Kosovë tash e sa vite nuk kanë sigurime shëndetësore, mjete dhe paisje adekuate për punë. Nuk iu kompenzohen ndërrimet e natës, orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe fetare.
”Zjarrëfikësit në Kosovë nuk e kanë të zgjidhur statusin juridik, nuk kanë gradime dhe mosha mesatare e një zjarrëfikësi është rreth të pesëdhjetave”.
Njohësi i emergjencave ka treguar se një ndër problemet kryesore të zjarrëfikësve janë resurset humane, të cilat përfshijnë mungesën e zjarrëfiksëve pothuajse në të gjitha komunat.
Sipas ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim, një zjarrëfikës do të duhej të mbulonte 1 mijë e 500 banorë, ndërsa tani për tani në Kosovë një zjarrëfikës mbulon 2 mijë e 800 deri 3 mijë banorë.
Mjetet dhe pajisjet e zjarrëfikësve në Kosovë kanë ngecje dhe janë larg standardeve evropiane. Disa mjete janë të stërvjetëruara, po ashtu, mungojnë pajisjet që zjarrëfikësit do të duhej të intervenonin në rastet kur zjarret janë të mëdha.
Ahmeti, tutje ka thënë se gatishmëria e zjarrëfikësve për të intervenuar në çdo lloj situate nuk ka munguar. Intervenimet në zonat e larta malore janë më të vështira, për shkak të qasjes së vështirë dhe mungesës së mjeteve e pajisjeve adekuate për të qenë më të efikasshëm në shuarjen dhe menaxhimin e zjarreve.
“Ndërsa, për intervenimet për shuarje të zjarreve nga ajri në vendet e paqasshme të makinave të zjarrëfikësve, shteti i Kosovës nuk ka asnjë helikopter që të përdoret në situata të tilla. Në ato situata, na ndihmon KFOR-i me helikopterët e tyre”, ka thënë Tahir Ahmeti.
Njohësi i emergjencave më tej për Portali D është shprehur se faktori njeri është shkaktari kryesor për djegie të pyjeve, duke marrë parasysh temperaturat e larta që kanë ndikim në tharjen e drunjëve dhe bimëve. Këto zjarre shkaktohen nga pakujdesia apo edhe nga ndezja e qëllimshme e pronarëve të tokave, duke djegur hamulloret dhe pastaj zjarret përhapen edhe në pyjet përreth.
“Një pakujdesi e vogël, qoftë ajo edhe krejtësisht e paqëllimshme, mund të shkaktojë dëme të mëdha në pyje, në toka bujqësore dhe në ambientin në përgjithësi”, ka thënë Tahiri.
“Me rritjen e temperaturave, fillojnë të shfaqen edhe problemet me zjarre pyjore e fushore dhe në këtë kohë, pothuajse çdo vit, shumë hektarë pyje digjen në të gjithë vendin. Këto situata shkaktojnë dëme të mëdha por njëkohësisht rrezikohet edhe vetë jeta e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.
Ahmeti për fund ka shtuar se institucionet përgjegjëse emergjente në Kosovë duhet të bëjnë përgatitjet maksimale profesionale për parandalimin e zjarreve pyjore dhe fushore. Duke filluar nga përgatitja dhe mobilizimi i stafit, e deri te mobilizimi dhe vetëdijësimi i qytetarëve për rrezikun nga zjarret.