Paneli i Gjykatës Supreme në Dhomat e Specializuara të Kosovës hodhi poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtja e Salih Mustafës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Këto kërkesa kishin të bënin me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 10 shtator 2024, përmes të cilit Mustafa u dënua me 15 vjet burgim.
Salih Mustafës i ulet dënimi në 15 vjet
Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme e mbyll këtë fazë ligjore, duke lënë në fuqi dënimin e shqiptuar nga Apeli.
“Më 25 shkurt 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart, dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që parashtruan Mustafa dhe ZPS-ja. Këto kërkesa u dorëzuan në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 10 shtator të vitit të kaluar, në të cilin u shqiptua dënimi i ri për Mustafën.
Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses”, thuhet në njoftim.
Fillimisht, më 16 dhjetor 2022, Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte. Pas një apeli të paraqitur nga mbrojtja, më 14 dhjetor 2023, Gjykata e Apelit e uli dënimin e tij nga 26 në 22 vjet burgim.
Më pas, Mustafa paraqiti një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, e cila më 29 korrik 2024 anuloi dënimin e tij me 22 vjet dhe e riktheu çështjen për rishqyrtim në Apel. Si rezultat, më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit vendosi të ulë dënimin e tij në 15 vjet burgim.