Tre shqiptarë që përdhunuan në grup një të re në Bedford janë dënuar me 57 vjet burg.
Një grua, 23-vjeçare, u rrëmbye jashtë një klubi nate në Bedford më 4 shtator 2021, raporton “The Daily Mail“.
Ajo e gjeti veten të vetme dhe të pambrojtur pas largimit nga klubi i natës “Vogue” në “Bedford High Street” në orët e hershme të mëngjesit.
Pa e ditur, ajo ishte përndjekur brenda klubit nga Gemti Hyka, 31-vjeçar, i cili e futi në makinën e tij dhe e çoi në një adresë në qendër të qytetit, aty ku edhe e përdhunoi.
Dy nga bashkëpunëtorët e tij, Vullnet Haka, 33-vjeçar dhe Ibrahim Bezati, 36-vjeçar, mbërritën dhe kryen po të njëjtin akt.
Njëherësh, gruaja ishte goditur me shuplakë në fytyrë dhe ishte detyruar të merrte kokainë.
Duke dënuar treshen në Gjykatën e “Luton Crown”, gjykatësi Steven Evans ka thënë se ata i kishin shkaktuar “makthin më të keq të çdo gruaje”, duke shtuar se ata ” e kishin trajtuar atë sikur të ishte më pak se njeri”.
Gruaja kishte arritur të arratiset nga shtëpia në mëngjes dhe ishte gjetur në gjendje të rëndë nga kalimtarët.
Duke dhënë dëshmi në Gjykatën e Luton Crown, ajo tha se nuk kujtonte se ishte larguar nga klubi në orët e para të 4 shtatorit të vitit të kaluar.
“U luta që të më linin të shkoja. Isha e hutuar dhe e frikësuar”, i ka thënë viktima prokurorit, Martin Mulgrew.
Hyka nga Bedford, u dënua me 26 vjet burg pasi u shpall fajtor për rrëmbim, burgim të rremë dhe dy akuza për përdhunim.
Haka dhe Bezati të dy nga Bedford, u shpallën fajtorë për burgim të rremë dhe dy akuza për përdhunim të gruas. Haka u dënua me 14 vjet burg, ndërsa Bezati u dënua me 17 vjet.