Dënohet me 14 vjet burg personi që sulmoi oficerët e policisë me spërkatës piperi

Një burrë nga Kentaki me një rekord të gjatë kriminal është dënuar me 14 vite burg për sulmin ndaj oficerëve të policisë me spërkatës piperi dhe një karrige teksa sulmoi Kapitolin më 6 janar të vitit 2021 së bashku me gruan e tij

Foto: Reuters

Një burrë nga Kentaki me një rekord të gjatë kriminal është dënuar me 14 vite burg për sulmin ndaj oficerëve të policisë me spërkatës piperi dhe një karrige teksa sulmoi Kapitolin më 6 janar të vitit 2021 së bashku me gruan e tij.

Dënimi me burg i Peter Schwartz është më i gjati deri më tani në mesin e qindra rasteve të trazirave të Kapitolit. Gjykatësi që dënoi Schwartz-in të premten dha gjithashtu dënimin më të gjatë të mëparshëm – 10 vjet – për një oficer në pension të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, i cili sulmoi një oficer policie jashtë Kapitolit më 6 janar 2021.

Prokurorët kishin rekomanduar një dënim me burg prej 24 vjet e 6 muaj për Schwartzin, me profesion saldator.

Gjykatësi i qarkut amerikan Amit Mehta e dënoi Schwartz-in me 14 vjet e dy muaj burg, pasuar nga tre vjet lirim të mbikëqyrur.

Gjykatësi Mehta tha se Schwartzi ishte një “ushtar kundër demokracisë” që mori pjesë në “një lloj kaosi, kaos që nuk ishte parë kurrë në historinë e vendit”.

“Ti nuk je i burgosur politik”, i tha gjyqtari. “Nuk je dikush që po ngrihet kundër padrejtësisë ose po lufton kundër një regjimi autokratik”.

Schwartzi iu drejtua shkurt gjykatësit përpara se të mësonte dënimin e tij, duke thënë se “Më vjen keq sinqerisht për dëmin që 6 janari u ka shkaktuar kaq shumë njerëzve dhe jetës së tyre”.

Gjykatësi tha se nuk e besonte deklaratën e Schwartz-it, duke vënë në dukje mungesën e pendimit të tij.

Schwartzi dhe gruaja e tij e atëhershme, Shelly Stallings, iu bashkuan rebelëve të tjerë duke mposhtur një varg oficerësh policie në Tarracën e Poshtme Perëndimore të Kapitolit, ku ai hodhi një karrige ndaj oficerëve.

“Duke hedhur atë karrige, Schwartzi kontribuoi drejtpërdrejt në thyerjen e vijës së policisë që u mundësoi rebelëve të vërshonin përpara dhe të pushtonin të gjithë tarracën”, shkroi prokurorja Jocelyn Bond në një dosje gjyqësore.

Prokurorët thanë se Schwartz është mburrur për pjesëmarrjen e tij në trazira, nuk ka treguar pendim dhe ka pohuar se ndjekja e tij ishte e motivuar politikisht.

Schwartz ka mbledhur mbi 71,000 dollarë nga një fushatë në internet e titulluar “Patriot Pete Political Prisoner in DC”. Prokurorët i kërkuan gjykatësit Mehta të urdhëronte Schwartz-in të paguante një gjobë të barabartë me shumën e mbledhur nga fushata e tij, duke argumentuar se ai nuk duhet të përfitonte nga pjesëmarrja në trazira. /VoA

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika