Dënohet me 24 vjet burg dhe 500 euro gjobë i akuzuari për vrasjen e gruas së tij në Llaushë të Skënderajt

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 24 vjet burg dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për vrasjen e gruas së tij në Llaushë të Skënderajt

Gjykata Themelore në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Skender Qerimajt, duke e dënuar me 24 vjet burgim dhe 500 euro gjobë, për vrasje të bashkëshortes dhe kryerjen e tri veprave të tjera penale, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Qerimaj për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, për “Dhunë në familje” u dënua me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë, për “Vrasje të rëndë”, u dënua me 22 vjet burgim, kurse për “armëmbajtje pa leje”, një vit burgim.

Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 24 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 5 janari 2022 dhe dënim me gjobë në lartësi prej 500 euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 12 maj 2022, ka ngritur aktakuzë kundër Skender Qerimajt.

Në pikën e parë të aktakuzës thuhet se, në muajin korrik të vitit 2021, i akuzuari Qerimaj në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, rreth orës 5 të mëngjesit me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij L.Q.

Rasti thuhet se ka ndodhur, ashtu që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i akuzuari merr një çarçaf dhe me të e shtrëngon në fyt të dëmtuarën, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore – ndrydhje në pjesën e përparme dhe anësore në të dy anët e qafës dhe në pjesën mollëzore të majtë të fytyrës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, par.3, lidhur me par.2 dhe 1 pika 1.4 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Qerimaj më 1 janar 2022, rreth orës 10:00, në shtëpinë e përbashkët familjare në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, ka ushtruar dhunë psikike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër dhe atë ndaj bashkëshortes së tij – tani të ndjerës L.Q.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari e ka fyer me fjalë dhe i ka thënë “dil nga shtëpia, se je kah më tradhëton”, dhe atëherë djali i tyre, tani dëshmitari A.Q, ka lajmëruar policinë, me ç’rast policia arrin në shtëpinë e të pandehurit dhe i dërgojnë në stacionin policor.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, par.1 të KPRK-së.

Tutje, në pikën e tretë të aktakuzës, i akuzuari Qerimaj ngarkohej se më 5 janar 2022, rreth orës 13:30 në fshatin Llaushë, Komuna e Skënderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij – tani të ndjerën L.Q.

Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme mes tyre, në shtëpinë e përbashkët familjare, gjegjësisht në dhomën e ndejës, i akuzuari ka kërkuar nga vajza e tij e mitur A.Q., që t’ia sjellë një gotë ujë.

Aktakuza thotë se pasi vajza ka shkuar në kuzhinë ka dëgjuar një krismë, është kthyer në sallon dhe ka parë babain e saj duke shkrepë armën – pistoletën e markës “Zoraki” dhe atë 6 herë në drejtim të tani të ndjerës, bashkëshortes së tij L.Q

E ndjera thuhet se është goditur në trup, dhe si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën e fundit të aktakuzës i akuzuari Qerimaj ngarkohej se nga data dhe viti i pacaktuar e gjerë më 5 janar 2022 në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm – Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës, dhe atë pistoletën e markës “Zoraki” model M 9060B.

Sipas aktakuzës, të njëjtën armë i akuzuari pas kryerjes së veprës penale të “Vrasjes” e ka dorëzuar në polici së bashku me tre fishekë.

Me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika