Një grua nga Ohio, foshnja 16-muajshe e së cilës vdiq pasi e la vetëm për më shumë se një javë derisa ajo shkoi në pushime verën e kaluar, u dënua me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.
Kristel Candelario, 32 vjeçe, u shpall fajtore për vrasje të rëndë dhe abuzim të fëmijës.
Candelario u nis për pushime më 6 qershor dhe la foshnjën e saj vetëm.
Kur u kthye më 16 qershor, ajo gjeti vajzën e saj të vdekur dhe thirri policinë, thanë autoritetet.
Vajza me emrin, Jailyn ka vdekur nga uria dhe dehidratimi i rëndë për shkak të neglizhencës pediatrike, ka thënë në gjykatë të hënën doktoresha Elizabeth Mooney, zëvendësekspertja mjekësore e qarkut Cuyahoga.
Siç raporton NBC, dokotresha ka thënë se fëmija ishte jashtëzakonisht i dehidratuar dhe i dobësuar, peshonte 13 paund, 7 paund më pak se në vizitën e saj të fundit te mjeku më pak se dy muaj më parë.
Candelario i ka thënë gjykatës të hënën se “çdo ditë kërkoj falje nga Zoti dhe nga vajza ime Jailyn”.
Ajo gjithashtu kërkoi falje nga vajza tjetër dhe nga prindërit e saj.
Avokati i Candelario, Derek Smith, ka thënë se askush nuk po përpiqej të justifikonte sjelljen e saj, por se Candelario po luftonte emocionalisht dhe ishte e dërrmuar si nënë e vetme e dy fëmijëve.