Gjykata Rajonale e Bielefeldit në Gjermani ka shpallur dënimin me burgim të përjetshëm për Huseyin A., 34 vjeç, i akuzuar për vrasjen e boksierit me prejardhje nga Kosova, Besar Nimani.
Dënimi u shqiptua të martën, pas një procesi gjyqësor që ka tërhequr vëmendje të gjerë publike.
Sipas raportimeve të “Frankfurter Allgemeine“, aktgjykimi ende nuk është përfundimtar dhe mbetet i apelueshëm në Gjykatën Federale në Karlsruhe brenda një jave. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të dënuar Huseyin A. me burgim të përjetshëm, duke vlerësuar se viktima ishte plotësisht i pambrojtur në momentin e sulmit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 mars të vitit të kaluar, kur Nimani u qëllua 15 herë nga dy persona të armatosur në qytetin e Bielefeldit. I dyshuari i dytë në këtë rast, Aymand Dawoud Kirit, ndodhet ende në arrati dhe ndaj tij është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar.
Huseyin A. u arrestua në korrik të vitit 2024 dhe që atëherë ka qenë në paraburgim. Gjatë përfundimit të seancës gjyqësore më 26 shkurt të këtij viti, u raportuan të shtëna në afërsi të gjykatës, ku mbetën të plagosur dy anëtarë të familjes së Huseyinit. Për këtë incident, vëllai dhe motra e të ndjerit Besar Nimani u dorëzuan në polici, pasi ishin shpallur në kërkim si të dyshuar.