Me shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, përkatësisht në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Një lajm të tillë e ka bërë të ditur Kuvendi i Republikës së Kosovës i cili krahas kësaj, ka njoftuar se deputetëve të pranishëm do të iu adresohet kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe jo vetëm.
“Në këtë mbledhje, deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Mbledhja e përbashkët pritet të fillojë nga ora 10:00 të dielën gjersa është njoftuar se me shënimin e kësaj dite, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.